E Diel, 1 Nëntor 2026

Një "Titanik" dhe një pallat "Digë" i shtohen Tiranës nga holandezët

Dy ndërtesa të reja do t‘i shtohen kryeqytetit. Ndryshe nga të tjerat, ato janë projektuar në Holandë. Njëra do të jetë te Kodrat e Liqenit, përpara digës dhe do të marrë emrin e saj, Pallati i Digës. Ndërsa tjetra, pranë Kuvendit, që do t‘i ngjasojë Titanikut. Drejtuesi i studios MVRDV, Winy Mass, ka shpjeguar dje këto dy objekte para Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. KRRT-ja u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për t‘u njohur me projektin belg të sheshit "Skënderbej", por edhe për të dëgjuar dy projektet e reja të godinave të konceptuara nga arkitekti holandez. Projektet e reja që pritet të ndryshojnë qendrën e Tiranës do të miratohen në mbledhjen e ardhshme të KRRT-së.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, theksoi se miratimi i planit për qendrën dhe dy godinat e reja është një ngjarje me rëndësi, pasi jep mundësinë që kryeqyteti të ketë një pamje krejt të re. Projektet për këto dy zona janë paraqitur nga një studio holandeze e quajtur MVRDV, me arkitekt Winy Maas. Projekti i parë i këtij arkitekti është quajtur "Toptani Arcades", sepse gjendet në rrugën "Murat Toptani". Ai është vazhdimësi i projektit fitues në njërin prej konkurseve të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës për objektet me rëndësi të veçantë të Master-Planit të Qendrës. Ndërtesa do të ketë program miks, komercial dhe zyra, si dhe do të ndërtohet përballë Kuvendit, aty ku sot gjendet një truall i rrethuar me hekura.

Arkitekti Maas prezanton një strukturë në formë dinamike, e cila ofron surpriza, nëpërmjet artikulimit të arkadave ose pasazheve, të cilat do të jenë shkëlqyese nga brenda dhe projektuese nga jashtë. Teknologjitë më të fundit do të zbatohen në pjesët e jashtme të shkallëzuara të objektit, që do të shërbejnë për komunikim reklamues me qytetin. Godina prezanton disa hapje (çarje) që lejojnë komunikimin jashtë-brenda e anasjelltas dhe shkëlqimi i brendësisë ndjell vizitorë dhe transmeton elegancë. Ajo i ngjan një Titaniku, në pamje të parë.

Ndërsa objekti tjetër është parashikuar të ndërtohet te Kodrat e Liqenit me pamje nga qendra e Tiranës. Ky projekt është quajtur "Lake Side Hall" nga vetë krijuesi dhe pozicionohet në afërsi të Liqenit Artificial. Kjo godinë ngrihet mbi digën e liqenit artificial. Arkitekti Mass ka treguar se si do të vendoset komunikimi mes qytetit dhe peizazhit të liqenit e të gjelbërimit të parkut, nëpërmjet ndërtesës së propozuar prej tij. Përtej tektonikës dhe masës së ndërtuar që do të ketë, objekti është i tejçueshëm dhe lejon fluiditetin pamor, si edhe atë fizik nga qyteti drejt parkut dhe anasjelltas. Programi i objektit është banim dhe shërbime komerciale. Është projektuar që të gjitha apartamentet e banimit do të kenë mundësi të shijojnë, pa shqetësuar të tjerat, pamjen qetësuese dhe mjaft të dëshiruar të gjelbërimit dhe kodrave.

Anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit i kanë vlerësuar në parim këto projekte, por sekretari i KRRT-së, Marin Biçoku, u shpreh se "duhet të merret edhe oponenca e Inspektoratit të Digave para se të ndërtohet ky objekt". Do të zhvillohet një seancë tjetër e KRRT-së për dhënien e lejeve të ndërtimit të dy objekteve të reja.

Diskutohet qendra e re

Në mbledhjen e djeshme të KRRT-së është prezantuar projekti belg për qendrën e Tiranës. Anëtarët u njohën me të rejat që do të ndryshojnë sheshin "Skënderbej", por nuk u dha leje ndërtimi. Ajo u shty për një mbledhje tjetër. Projekti belg për katër muaj detajohet dhe për afro një vit, deri në korrikun e vitit të ardhshëm punimet do të kenë përfunduar. Rrezja e rindërtimit kap vetëm qendrën e Tiranës. Plot 10 milionë euro do të investohen për rindërtimin e tij, prej të cilave 5 milionë euro i financon Emirati i Kuvajtit dhe 5 milionë euro janë nga fondi i Bashkisë së Tiranës. Çmimi i është dhënë firmës belge nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dy javë më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›