Masakra e Tiranës
64 vjet më parë komunistët që po vinin në pushtet, kryen masakrën e Tiranës. Aty u vranë dhe u masakruan më shumë se 60 qytetarë me prejardhje nga të katër anët e Shqipërisë, nga Kosova në Konispol. Deri më 16 nëntor, për afro njëzet ditë dhe sidomos net, ata morën njerëz të pafajshëm nga shtëpitë dhe i zhdukën në mënyrën më çnjerëzore. Disa, për të nxitur frikën, i lanë në kazanët e plehrave, të tjerë në bodrumet e hotel “Bristolit” për ditë me radhë derisa filluan të kalbëzohen, të tjerë i pushkatuan në Bregun e famshëm të Lumit. Shumica pa varr. Shumica të paçregjistruar nga zyrat e gjendjes civile deri në fillimet e viteve ‘90. Po, kush ishin të masakruarit? Intelektualë, botues, gazetarë, ushtarakë të karrierës profesioniste. Shumica mbaruar në Perëndim. Faji i tyre i vetëm ishte se kultura e tyre dija e tyre njohjet e tyre binin ndesh me idetë e komunizmit me luftën e klasave. Masakra të tilla komunistët kishin kryer edhe më parë: Në Libohovë, Gjirokastër, Lushnjë do të kryenin edhe më vonë në Lumë, Mirditë, Postribë etj. Por në Tiranë, kryeqytet, ata treguan forcën për të siguruar regjimin për vitet e ardhme. Asnjëherë në vitet që do vinin pushtetarët nuk e pohuan krimin e vrasjes pa gjyq të qytetarëve të Tiranës, megjithëse dokumentet e botuara prej vetë atyre flasin të vërtetën e hidhur: Në plenumin e dytë të Beratit, 24 deri 27 nëntor 1944, Tuk Jakova do të thoshte: “Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj. Unë nuk kam qenë kurrë për masa të tilla. Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu, sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Terrorizmi në parti, në popull dhe në ushtri, - tha Sejfulla Maleshova, - tregon dobësinë e vijës sonë politike... Me terror i zgjidhin të gjitha. Nuk u çudita kur më thanë se sa më brutal dhe terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte”. Po në atë plenum, Gogo Nushi thotë: “Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 vetë. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre nuk duhej të vritej”. Më e hapur është dëshmia e Kristo Themelkos: “Kur unë kam biseduar me shokun Enver, ai më ka këshilluar që kur të hymë në Tiranë, të pastrojmë këta elementë” (të gjitha citimet nga AQSH, dosja 2a). Nuk është e rastit që shumica e të vrarëve ishin të njohur të tij që nga Gjirokastra, liceu i Koces, vitet e qëndrimit në Tiranë etj. Enxo Biaxhi në librin e tij “Lubjanka” thotë: “Stalinizmi ende nuk ka pasur Nurembergun e tij. Asnjeri nuk ka pranuar të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor në këto krime, asnjeri nuk është penduar. Kjo është e vërteta e hidhur”. Me gjithë përpjekjet tona, ne, familjaret e viktimave, nuk mundëm t’i gjenim vetë fajtorët. Ata ishin mbuluar jo vetëm nga pluhuri i kohës, por edhe nga mosvullneti i autoriteteve për t’u marrë me këtë punë. I vetmi ngushëllim yni është monumenti i ngritur pranë shoqatës. Aty kemi një vend ku të paktën të vendosim një tufë me lule këto ditë. Rreth 6000 ka qenë numri i të pushkatuarve nga diktatura. Nga këta, rreth 4000 janë pa gjyq. E çuditshme është se me ligjin e ri për të përndjekurit këta janë përjashtuar nga njohja që i është bërë më parë me ligjin nr. 7748 dt. 27.10.1993 ku njihej statusi i tyre sipas udhëzimeve të dhëna më parë duke plotësuar kërkesat për vërtetimin e faktit. Në fund të fundit çfarë gjyqi duhet para apo pas 29 nëntorit 1944. Ato, siç shpjegova më sipër, janë masakra masive që tashmë dihen nga të gjithë. Të pushkatuarit nga diktatura nuk mund të ndahen në para dhe mbas 1944-ës sepse ata janë vrarë vetëm sepse ishin antikomunistë. Që të mos lëndohen më eshtrat e tyre kjo padrejtësi duhet të korrigjohet sa më parë. Thotë Aleksandër Sollxhenicin, “Nobel” 1970: “Nuk jam fajtor ndaj atyre që u vranë, por e ndiej veten fajtor sepse nuk kam bërë asgjë për ta. Ne kemi detyrë të punojmë për të vrarët”.