E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur në konvikt 16-vjeçari



Dy ditë më parë kishte shkuar në spital, por mjekët e kanë lejuar të largohet duke i bërë vetëm një serum

Një adoleshent 16-vjeçar është gjetur i vdekur në Peshkopi. Ditën e djeshme, në dhomën e konviktit të shkollës së mesme pedagogjike “Sheit Meideni”, i riu Daniel Ibrahimi u gjet i pajetë nga shokët e tij. “Ai ishte ndier keq para dy ditësh dhe kishte shkuar në spital. Pasi kishte marrë mjekimin me serum, ishte kthyer sërish në dhomë. Por, pas disa kohësh, ai është gjendur i vdekur nga shokët e tij. Në vendngjarje ka shkuar dhe policia, e cila ka nisur nga puna për përcaktimin e shkaqeve të kësaj vdekjeje”, - thanë zyrtarë të policisë së Dibrës.

Agjentët e policisë morën në pyetje bashkëmoshatarë të tij si dhe njerëz që e njihnin, ndërsa të riut iu krye ekspertiza mjekoligjore. Sipas burimeve të policisë, para dy ditësh i riu ishte ndier keq. Ai kishte shkuar tek daja i tij, i cili e kishte çuar atë në spital, pas shqetësimeve. Mjekët pas kontrollit të kryer, i kishin dhënë atij një serum dhe më pas ai është çuar sërish në shtëpi. Por të nesërmen, 16-vjeçari është ndier sërish keq në dhomën e tij në konviktit.

Shokët e tij e kanë gjetur atë pa jetë në dhomë. Pas ekspertizës mjekoligjore, u arrit në përfundimin se vdekja e 16-vjeçarit ka ardhur si pasojë e shkaqeve cerebrale. I riu kishte pësuar një aksident para dy vjetësh. Dyshohet se kanë qenë pikërisht dëmtimet e marra nga ky aksident që kanë çuar në vdekjen e tij. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, moskontrollimi i vazhdueshëm i viktimës ka bërë që ai të mos jetë i përgatitur për këto shqetësime që e kanë çuar edhe në vdekje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›