E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet pas dy muajsh doganieri i kafesë

Arrestohet doganieri për kontrabandën e kafesë. Kiriasko Feta, me detyrën doganier te peshorja në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, është vënë në pranga nga ana e policisë, pasi ndaj tij rëndon akuza për shpërdorim detyre. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se 44-vjeçari me detyrë doganier ishte shpallur në kërkim rreth dy muaj më parë, kur në këtë pikë kalimi u kap një sasi e madhe me kafe kontrabandë prej 27 tonësh, që ishte futur pa kryer veprimet doganore. Nga hetimet ka rezultuar se Feta ka qenë në detyrë në datën 7 mars, kur kaloi kafeja kontrabandë dhe ka shmangur kryerjen e veprimeve doganore, gjë që ka bërë që ndaj tij të ngrihet akuza për shpërdorim detyre. Policia tha se në datën 7 mars doganieri ka qenë në detyrë te peshorja, kur është kapur kamioni me targa KO7074B, me 27 tonë kafe kontrabandë që ishte futur në Shqipëri nëpërmjet Greqisë. Doganieri nuk i ishte përgjigjur policisë, duke qëndruar i fshehur dhe është kapur vetëm dje nga policia, që kishte arritur të siguronte informacione për vendndodhjen e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›