E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet deputeti i PS-së

Vritet në një atentat me armë zjarri deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21:40 në periferi të qytetit të Roskovecit, ku banonte deputeti i PS-së, i zgjedhur për tri legjislatura në zonën 68, ku është edhe vendbanimi i tij.

Policia ka qenë shumë e rezervuar në të dhënat për rrethanat e vrasjes së deputetit 49-vjeçar. Ajo që është thënë zyrtarisht dje në mbrëmje është fakti që deputeti është vrarë pranë shtëpisë së tij me automatik kallashnikov.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Xhindi është qëlluar nga mbrapa sapo ka zbritur nga makina, në derën e shtëpisë së tij në Roskovec.

Familjarët, që dëgjuan krismat, kanë dalë menjëherë dhe e kanë transportuar Xhindin për në spitalin e Fierit, por deputeti ka ndërruar jetë rrugës, për shkak të plagëve të shumta të shkaktuara nga plumbat.

Deputeti ka mbërritur pa jetë në spitalin e Fierit. Mjekët aty thanë se numri i plumbave që kishin prekur trupin e tij ishte i madh.

Të afërm të të ndjerit, që e shoqëruan atë për në spitalin e Fierit, thanë se deputeti po kthehej nga disa takime elektorale në fshatrat Verbas dhe Kurjan të Rrethit të Fierit. Kjo konfirmohet edhe nga deputeti socialist Albert Çaçi, i cili ka qëndruar dje pranë familjes së viktimës.

Lajmi për vrasjen e deputetit ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e Partisë Socialiste në Fier. Të gjithë anëtarët e kryesisë së degës së PS-së Fier, si dhe dhjetëra simpatizantë të kësaj force politike janë mbledhur dje në spitalin e Fierit bashkë me familjarët e deputetit të vrarë. Situata në spital është tensionuar pasi është mësuar se deputeti kishte ndërruar jetë.

Drejt Roskovecit është nisur menjëherë pas njoftimit për ngjarjen kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Drejt Roskovecit është nisur disa minuta më vonë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka angazhuar me hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë disa nga drejtuesit e saj më të lartë. Mësohet se në krye të grupit që është nisur për në Roskovec ka qenë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçi.

Forca të shumta policore kanë rrethuar shumë shpejt shtëpinë e Fatmir Xhindit, në unazën e Roskovecit. Nga përtej "murit" të policëve mund të shihej dje makina e deputetit, me derën e shoferit të hapur. Në tokë, pranë derës së shtëpisë shiheshin piketat e vendosura nga policia, për të shënuar vendndodhjen e trupit dhe shenjat e plumbave apo gëzhojat. Nga kjo skenë e krimit kuptohet se deputeti ka zbritur nga makina për të hapur derën e madhe të oborrit dhe aty është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri automatike. Sipas burimeve të pakonfirmuara nga policia, deputeti është qëlluar nga një distancë e afërt dhe atentati është kryer nga më shumë se një person. Sipas këtyre burimeve, një makinë e ka ndjekur nga mbrapa makinën e deputetit, pa u vënë re dhe në momentin që ai ka zbritur për të hapur portën, edhe personat që ndodheshin në makinën që e ndiqte kanë zbritur, kanë hapur zjarr dhe janë larguar me shpejtësi.

Policia nuk ka dhënë dje asnjë informacion zyrtar për ngjarjen, përveç faktit që deputeti u vra. Policia ka përdorur qentë për të ndjekur gjurmët e vrasësve, të cilët ende nuk janë zbuluar.

Vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, 57 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare pritet të tensionojë fushatën elektorale. Deri në mbrëmje vonë, vetëm të afërmit e deputetit të vrarë kanë ngritur dyshime për motive politike të vrasjes, ndërsa PS-ja është treguar e kujdesshme. Ndërkaq, situata në qytetin e Roskovecit ka qenë shumë e tensionuar.

Ky është rasti i dytë në historinë postkomuniste të Shqipërisë, kur një anëtar i Parlamentit vritet në atentat. Më 12 shtator të vitit 1998, në Tiranë, pranë selisë së Partisë Demokratike, u vra deputeti Azem Hajdari.

Jetëshkrimi

Fatmir Faslli Xhindi

Të dhëna vetjake

Datëlindja: 1.4.1960

Vendlindja: Fier

Ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë

Edukimi

Universiteti "Eqerem Çabej", Fakulteti Histori-Gjeografi, dega Histori, Gjirokastër - 1986

Universiteti i Tiranës, Fakulteti Juridik - 2003

Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë - 2005

Veprimtaria profesionale

1986-1989: Mësues historie në Vlosh, Fier; drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, Fier.

Veprimtaria politike

2005: Deputet i PS-së

1991: Anëtar i PS-së

1989-1991: Kryetar i Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier

1992-1996: Kryetar i Komunës Kurjan, Fier

1996 e vazhdim: anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier; anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut e Fierit; anëtar i Komisionit për Pushtetin Vendor pranë KPD-së të PS-së

Komisioni hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave", anëtar

Zgjedhur në:

Legjislatura: XVII

Zona zgjedhore: 68

Qarku: Fier

Nr. i votave: 6708

Përqindja: 45%

Grupi dhe Komisionet parlamentare:

Grupi parlamentar: PS

Komisioni parlamentar: Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, anëtar

Ishte një nga tre deputetët e PS-së që u përplasën me efektivë të Gardës së Republikës, të cilët nuk u lejuan hyrjen në sallën e Parlamentit

Pas viteve ‘90, Xhindi është deputeti i dytë që vritet, pas ekzekutimit të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›