E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen në kanionet e Osumit 11 turistë

Një grup turistësh janë bllokuar dje për disa orë në kanionet e lumit Osum në Rrethin e Skraparit, ku ishin futur me varka. Drejtori i Policisë së Qarkut Berat, Bernard Caushi, konfirmoi dje se grupi i turistëve, shumica e të cilëve ishin gjermanë, u bllokua në kanion, kur varkat e tyre ngecën në rërë në një vend nga ku nuk kishte dalje. Incidenti ka ndodhur, sipas drejtorit të policisë, pasi turistët kishin marrë udhërrëfyes që nuk e njihnin mirë terrenin dhe një shtrëngatë shiu i ka nxjerrë varkat jashtë kontrollit, duke rrezikuar edhe jetën e turistëve. "Fatmirësisht, varkat ngecën në zhavorr, në një pjesë të cekët të lumit ku nuk kishte rrezik për mbytje", tha Caushi. Pas njoftimit, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, në vendngjarje kanë shkuar forca të Komisariatit të Policisë së Skraparit dhe ato të Drejtorisë së Policisë së Beratit. Më pas është kërkuar ndihma e repartit special RENEA, efektivët e të cilit kanë evakuuar me litar 11 anëtarët e grupit të bllokuar në kanion. Sipas policisë, disa nga turistët kanë pasur gërvishtje të lehta, ndërsa dëmi më i madh ka qenë psikologjik, për shkak të tronditjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›