Bilisht, plagosen rëndë me thikë e sëpata dy studentë
Dy persona të plagosur, një i arrestuar dhe një i shpallur në kërkim. Ky ka qenë bilanci i një sherri banal të ndodhur të premten në mbrëmje në qytetin e Bilishtit. Viktimat e plagosjeve me thikë dhe mjete të forta mësohet se janë dy studentë. Një konflikt i nisur dy javë më parë, mes dy grupesh të rinjsh, ka vijuar dje me pasoja më të rënda. Policia lokale raporton për dy të rinj, të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë dhe një tjetër të ri që është vënë në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Burimet policore kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur në orën 18:30 të së premtes, në qendër të qytetit të Bilishtit, te kryqëzimi i rrugës që të çon në fshatin Miras. 22-vjeçari Loren Mazelliu, 22 vjeç, dhe vëllai i tij, Guri Mazelliu, 23 vjeç, u kanë zënë pritë dy studentëve, Erigels Bregu 20 vjeç dhe Daniel Gega 21. Vëllezërit Mazelliu kishin pasur një konflikt me 20-vjeçarin Bregu, ndërsa Gega është ndodhur rastësisht në sherrin e së premtes, ku është qëlluar me thikë pas shpine. Shoku i tij, Erigels Bregu, është goditur disa herë me mykën e një sëpate. Policia thotë se pasi i kanë plagosur rëndë dy studentët, autorët i kanë lënë ata në shesh dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dy studentët me plagë të rënda në trup janë transportuar drejt spitalit civil për ndërhyrje mjekësore dhe pas ndërhyrjeve kirurgjikale e kanë kaluar rrezikun për jetën. Nga kryerja e veprimeve hetimore për këtë rast, policia ka zbuluar se shkaku i këtij konflikti mes dy grupeve të të rinjve ka nisur për motive të dobëta dy javë më parë. Policia ka arrestuar shtetasin Loren Mazelliu. Kapja e tij u bë në orën 02:00 të mëngjesit të djeshëm, pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që pas prangosjes së tij policia ende nuk ka mundur të gjejë vëllain, Guri Mazelliun, i cili është shpallur në kërkim. Ndaj dy të rinjve rëndon akuza për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.