E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatorja e Ahmet Zogut përçan të djathtët e Matit

Rikthehen debatet për vendosjen në qytetin e Burrelit të shtatores së Ahmet Zogut. Muaj më parë, zyrtarë vendorë të Bashkisë Burrel u konfliktuan gjatë me një pjesë të këshilltarëve të majtë të kësaj bashkie, për heqjen e bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe vendosjen në vend të tij të shtatores së Zogut. Por, nëse atëherë u debatua gjatë për këtë zëvendësim, që kundërshtohej nga të majtët, tani debatet janë rikthyer mes vetë të djathtëve, pasi nuk bien dakord që mbreti i vetëshpallur i shqiptarëve të zërë vendin që iu dha muaj më parë prej tyre. Në kampin e koalicionit të djathtë, në qytetin e Burrelit, prej pak ditësh kanë nisur përplasje të forta mes legalistëve, që kërkojnë vendosjen e shtatores së Zogut në sheshin "Demokracia" (siç vendosi këshilli bashkiak) dhe forcave të tjera të këtij koalicioni, kryesisht të PD-së, që nuk bien dakord që monumenti i "mbretit" të zërë vendin që iu dha. Shtatorja e Ahmet Zogut, e realizuar nga një studio private në Tiranë, me sponsorizime të përkrahësve dhe biznesmenëve të shumtë matjanë, tashmë ka përfunduar dhe pritet të vendoset në vendin e caktuar nga këshilli bashkiak. Por duket se fushata elektorale ka sjellë përplasjen e fortë mes legalistëve dhe forcave të tjera politike të djathta të Matit. Legalistët nuk mund ta tolerojnë vonesën në vendosjen e shtatores në vendin ku u caktua nga këshilli bashkiak. Ata kanë bërë publik dhe bocetin e shtatores pesë metra të lartë, që tregon Zogun në këmbë, me rroba ushtarake e me shpatë në dorë. Mirëpo vendosja e shtatores në sheshin "Demokracia", aty ku forcat e djathta politike të Matit zhvillojnë tubimet, ka ngjallur debate të forta në degën lokale të PD-së, aq më tepër tani në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndaj, në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë mësohet se u është kërkuar llogari vendorëve pse kanë lëshuar sheshin e mitingjeve. Kjo ka qenë arsyeja që prej disa muajsh, KRRT-ja e bashkisë nuk e ka vënë fare në rend të ditës vendimin për monumentin, ndonëse është kërkuar disa herë nga legalistët dhe LZHK-ja. Burime të sigurta informacioni pranë PLL-së të Matit sqarojnë se arsyet pse vonohet vendosja e shtatores së ish-mbretit Ahmet Zogu lidhen me fushatën elektorale që sapo ka nisur, pasi, sipas tyre, demokratët frikësohen për rrjedhje të votave të tyre drejt PLL-së dhe LZHK-së. Gjithsesi legalistët, duke vendosur shtatoren në qendër të Burrelit, shpresojnë të sigurojnë më shumë vota, ndërkohë demokratët nuk e tolerojnë një gjë të tillë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›