E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Çështja çame po keqpërdoret politikisht

Deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje se çështja çame po keqpërdoret politikisht. Idrizi e kundërshtoi marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë midis demokratëve dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Sipas tij, marrëveshja me Partinë Demokratike nuk është vendim i komunitetit çam, por e disa njerëzve, duke e lidhur këtë edhe me heshtjen e Kryeministrit Berisha për çështjen çame gjatë takimit me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis. "Ndiej keqardhje se një çështje e madhe, siç është ajo çame, ka përfunduar në një marrëveshje me njeriun, i cili jo më larg se dy ditë më parë nuk e kishte fare në axhendën e vet çështjen çame. Gjithashtu, mua më vjen keq që çështja çame po përdoret nga politika shqiptare, ky është një veprim i pakonsultuar me komunitetin çam", u shpreh deputeti socialist Idrizi. Pavarësisht nënshkrimeve të dy marrëveshjeve midis dy vendeve dhe mendimit të përbashkët se marrëdhëniet janë shumë të mira, çështja çame u shmang kategorikisht nga axhenda e dy kryeministrave, duke mos u përmendur në asnjë moment.

Çështja çame është një ndër çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve, por Kryeministri Berisha deklaroi se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishte asnjë çështje të pazgjidhur, çka solli pakënaqësi te komunitetit çam. Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila thotë se përfaqëson këtë komunitet, nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Kryeministrin Sali Berisha, fill pas vizitës së Kryeministrit grek në Shqipëri. Pas vizitës, historianë dhe politikanë kritikuan qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke e konsideruar skandaloz faktin që Kryeministri Berisha nuk e përmendi qoftë edhe tërthorazi problemin që prek më shumë se 200 mijë shtetas shqiptarë me origjinë nga Çamëria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›