E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiri i Gjeneralit, dërgohen para gjyqit zyrtarët e AKKP-së

Task-Force ka mbyllur hetimet për dosjen "Gjiri i Gjeneralit" dhe ka çuar për gjykim pesë ish-zyrtarë të AKKP-së dhe një biznesmen, të cilët tentuan të vidhnin dhe të tjetërsonin një pronë prej rreth 48 hektarësh. Njësia e Task Forcës në Prokurorinë e Tiranës i ka dhënë fund dhe ka mbyllur hetimet disamujore, duke dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të gjashtë të pandehurve. Ata janë ish-kreu i Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj; Fatos Gjuzi, me detyrë ish-kreu i Hipotekës Kavajë; Ali Aliaj, punonjës i Agjencisë Kombëtare të Kthimit të Pronave; Petrit Kulloli, punonjës në të njëjtën zyrë; avokati Gjergj Hyso dhe biznesmeni Alban Xhillari. Nga hetimet e kryera nga ana e organit të akuzës, të pandehurit akuzohen për falsifikim, me kërkesën e kthimit të pronës të hartuar në emër të ish-pronarëve Nexhmi e Jonuz Shijaku. Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit kanë falsifikuar edhe dokumente të vjetra të pronësisë dhe planvendosjen e sipërfaqes së tokës. Gjithë përmbajtja e dosjes mësohet se ka qenë e falsifikuar, ndërsa mbi këtë dokumentacion, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) kishte miratuar procedurën dhe më pas kishte vendosur kthimin e pronës. Nga ana tjetër, Hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren, duke zhvendosur tokën në dokumente, nga Mali i Robit te Gjiri i Gjeneralit. Nga verifikimi i dokumenteve të bëra nga prokuroria, është faktuar se në emër të ish-pronarëve të familjes Shijaku janë aplikuar duke falsifikuar firmat e anëtarëve të familjes. Të pandehurit akuzohen nga prokuroria për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës", "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "falsifikim të dokumenteve zyrtare, me qëllim tjetërsimin e pronës në bashkëpunim". Në ditët në vazhdim pritet të hidhet shorti elektronik për t‘iu caktuar një gjykatësi, i cili do të gjykojë çështjen në themel.

Aktualisht, Prokuroria e Tiranës ka hapur tri procedime penale ndaj ish-kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i cili dyshohet se ka mbivendosur një truall prej 48 hektarësh në vendin e quajtur "Gjiri i Gjeneralit", në bregdetin e Kavajës. Gjithashtu është denoncuar nga banorët e Komunës Synej se ka mbivendosur pronën prej 12 hektarësh në vendin e quajtur "Gjiri i Lalzit". Kallëzimi për mbivendosjet e pronës në Tiranë është i treti dhe besohet se të tria çështjet hetohen nga një grup hetimor i Task-Forcës. Për dosjen e parë, organi i akuzës deklaron se thirri dje në prokurori Vatnikajn, pasi e njohu me kërkesën për gjykim. Së bashku me ish-kreun e agjencisë, në atë kohë u paraqit në prokurori edhe Ali Aliu. Prokuroria e Tiranës deklaron se ka përfunduar hetimet dhe janë njohur me akuzat edhe të pandehurit e tjerë. Nga hetimet, të cilat janë mbështetur nga dokumentet dhe dëshmitë, ka rezultuar se disa muaj më parë, ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka urdhëruar disa punonjës të hartojnë një plan për kompensimin e familjes Shijaku, me prona në bregdet. Në kohë rekord, punonjësit kanë hartuar dokumentacionin përkatës dhe ia kanë servirur titullarit. Vatnikaj ka firmosur për kthimin e pronave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›