Arrestohet për drogë një ish-bandit i ‘97-ës
Një person i dënuar nga gjykata për "prodhim dhe shitje të bimëve narkotike" është arrestuar të hënën në mbrëmje nga Policia e Beratit, e cila deklaron se ky person dyshohet të ketë kryer edhe krime të tjera në vitin 1997. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se është bërë arrestimi i Altin Brushit, 37, vjeç. Policia kishte siguruar në rrugë operative informacionet se ai ndodhej në banesë dhe mundësoi arrestimin e tij. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Berat, Brushi, lindur dhe banues në lagjen "Kushtrimi" në këtë qytet, është dënuar nga gjykata me shtatë vjet heqje lirie. Fillimisht Gjykata e Faktit në Berat dhe më pas Gjykata e Apelit në Vlorë ka shpallur fajtor 37-vjeçarin me akuzën e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike" dhe e ka dënuar në mungesë me shtatë vjet burg. Por ky person dyshohet se ka qenë anëtar i njërës prej bandave famëkeqe të qytetit të Beratit në vitin 1997 dhe policia po heton për krime të kryera në atë kohë. Kështu, Brushi bëhet i treti person i arrestuar në Berat brenda një muaji për vepra penale që nuk kanë lidhje me vitin e mbrapshtë, por që hetohet edhe për këto ngjarje.