KE, asistencë Auditit të Brendshëm
Komisioni Evropian prezantoi dje projektin e binjakëzimit prej 1 milion euro, të quajtur "Kontrolli i Brendshëm Financiar i Fondeve Publike", i cili do të vazhdojë deri në korrik 2010. PIFC II vjen pas një projekti të parë të financuar po nga KE-ja, i cili u zbatua gjatë periudhës 2005-2006 dhe u përqendrua në përforcimin e strukturave të brendshme të auditimit pranë institucioneve shtetërore. Siç u vu re edhe në raportin e progresit të këtij viti, Shqipëria është akoma mbrapa me transparencën në përdorimin e lekëve të taksapaguesve nga institucionet shtetërore. Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, duke folur për rëndësinë e zbatimit të këtij projekti, tha se, "ndryshimet në pushtet nuk duhet të çojnë në ndryshime të strukturave dhe personelit të auditimit të brendshëm".