E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës në ‘97-ën, zbulohen urdhëruesit

Një urdhër i Agim Shehut, ish-zv/ministër i Brendshëm, njëkohësisht edhe ish-drejtor i Policisë së Shtetit, ka dërguar në Sarandë në vitin 1997, në kulmin e trazirave, katër punonjës të Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin, ku njëri prej tyre, pas përplasjes me banditët, u ekzekutua. Një tjetër u rrëmbye dhe u mbajt peng për disa ditë, ndërsa dy "të shpëtuarit" përshkruan për dhjetëra orë në këmbë male e fusha, për të përfunduar në qytetin e Fierit. Historia daton më 4 mars 1997, ku katër efektivët e Policisë së Vlorës, Gjergji Mehmeti, Sokol Bixhga, Aduart Alija dhe Myzafer Blushi janë urdhëruar për të ngritur Komisariatin e Policisë së Sarandës, ku efektivët e të cilit kishin dezertuar. Dje, prokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj 10 "rebelëve" sarandjotë, të cilët prenë në besë "vëllezërit" e tyre. Sipas tij, efektivët e policisë janë nisur mëngjesin e datës 4 mars ‘97 nga Vlora, pas urdhrit të Shehut, me automjetin "Benz Mercedez" 240. Sapo kanë arritur në Sarandë, kanë shkuar në komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. "Pas këtij momenti kanë komunikuar me telefon me zv/ministrin për situatën në të cilën ndodhej Komisariati i Policisë Sarandë, që nuk mundej të riorganizohej dhe kanë vendosur të largohen", thuhet në dosjen e prokurorisë. Pas këtij komunikimi, në Sarandë rastësisht takohen me shtetasit Lefter Blushi, Genci Blushi (familjarë të punonjësit të policisë Myzafer Blushi) dhe me Krenar Ferunin.

Dalja nga Saranda

Prokuroria ka argumentuar se rreth orës 12.30-13.00 të po asaj date, punonjësit e policisë kanë vazhduar rrugën për në dalje të qytetit të Sarandës, por në momentin që kanë shkuar te nënstacioni elektrik i ka parakaluar një makinë tip "Mercedez Benz" 190, me ngjyrë jeshile dhe me targa të Sarandës, brenda së cilës kanë qenë tre persona. Ky automjet i ka prerë rrugën 4-5 metra para dhe prej tij ka zbritur pasagjeri, i cili në dorë mbante një armë automatike. Prokuroria thotë se ky person ka shkuar te punonjësit e policisë duke i pyetur se kush ishin dhe ku do të shkonin. Këtij personi i është përgjigjur Sokol Bizhga, duke iu prezantuar në emër, gjithashtu i ka thënë se ishin punonjësit e Policisë së Vlorës. "Ky ka qenë momenti që punonjësit e policisë i kanë bërë çarmatosjen atij. Nga automjeti me targa të Sarandës, për të parë se çfarë po ndodhte, kanë dalë edhe dy shtetas të tjerë. Pas këtij momenti ka filluar edhe shkëmbimi i zjarrit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ka qenë Armand Hysi, ndërsa në sediljen e pasagjerit të parë ka qenë Edmond Sejko (i thirrur ndryshe "Bubeqi") dhe në sediljen e pasme ka qenë dëshmitari Fatos Mahmutaj", thuhet në dosjen e akuzës.

Drejt Qafë-Gjashtës

Sipas akteve të dosjes, pas përplasjes me armë pa pasoja, punonjësit e policisë kanë marrë në automjetin e tyre Edmond Sejkon dhe Fatos Mahmutajn, me qëllim kalimin e sigurt nga Saranda. Ndërsa Armand Hysi, në momentin që ka shkuar në një karburant pranë Qafë-Gjashtës, ka komunikuar me grupin e personave të armatosur sarandjotë që kanë qenë në karburant dhe u ka thënë se një automjet me targa të Vlorës ka marrë peng dy veta. "Ndërkaq, personat e armatosur që ndodheshin atje janë pozicionuar dhe kanë zënë vende. Pas disa momentesh kanë shkuar punonjësit e policisë. Por, kur afrohen 50 metra, janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri. Të ndodhur në të tilla kushte, punonjësit e policisë kanë ndaluar automjetin pas një kamionçine dhe me qëllim kalimin e rrugës pa problem, ka zbritur nga makina i paarmatosur Sokol Bizhga dhe i është drejtuar grupit të personave të armatosur me fjalët: ‘...Jam shefi i policisë kriminale të Vlorës, jemi lebër, jemi vëllezër, prandaj mos qëlloni‘, por, nga ana e personave që ndodheshin te karburanti, ka vazhduar sërish të qëllohej me armë", thuhet në dosje.

"Tufjani" solli viktimat

Punonjësit e policisë, sipas prokurorisë, kanë kërkuar nga personat që kishin në automjet, pikërisht nga Edmond Sejko dhe Fatos Mahmutaj, të shkonin te të rebeluarit dhe të negocionin që të largoheshin pa pasur ndonjë problem. Por, në momentin që personi Edmond Sejko ka shkuar, jo vetëm nuk ka negociuar, por ka thënë fjalën "Tufjani". Ky ka qenë edhe momenti në të cilin personat e armatosur kanë vazhduar sërish duke qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit rreth 10-15 minuta ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Gjergji Mehmeti. Prokuroria thotë se gjatë shkëmbimit të zjarrit punonjësit e policisë, Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga, kanë arritur të largohen, ndërsa punonjësi tjetër, Eduart Aliaj, është kapur nga personat e armatosur dhe është mbajtur peng e keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Pas shkëmbimit të zjarrit, të armatosurit i kanë vënë flakën automjetit në të cilin ndodhej trupi i punonjësit të policisë, Gjergji Mehmeti.

Personat që kanë qëlluar në drejtim të policëve

Vladimir Sinani

Nestor Sinani

Alqi Paguni

Eduart Çipa

Edmond Sejko

Arben Këndezi

Agron Qurku

Mikel Këndezi

Aleksandër Bala

Ristan Lapa

Punonjësit e policisë që u sulmuan
Gjergji Mehmeti (i vrarë)

Eduart Alija (i marrë peng)

Sokol Bizhga

Myzafer Blushi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›