E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ndërton pa leje

Kjo drejtori, e cila varet direkt nga Këshilli i Ministrave ka shkelur ligjin me të dyja këmbët, duke ndërtuar me urgjencë një mur të madh rrethues në Vlorë. Bëhet fjalë për një mur, që do të rrethojë sipërfaqen prej 15 hektarë, ku ndodhen vilat qeveritare në qytetin e Vlorës. Në një proces-verbal të mbajtur nga Inspektoriati Ndërtimor i Vlorës më 7 nëntor 2008, konstatohet se firma që po ndërton murin rrethues të vilave nuk ka asnjë lloj dokumentacioni të miratuar nga KRRT-ja apo KRRTSH-ja, as leje mjedisore, as studim gjeolog-inxhinierik e sizmik, as tabelë të identifikimit të objektit. Pas këtij konstatimi, Inspektoriati vendosi pezullimin e punimeve deri në plotësimin e plotë të dokumentacionit teknik dhe ligjor.

Si nisi historia e ndërtimit të këtij muri?

Më 16 korrik të vitit 2008, qeveria nxori një vendim për miratimin e listës së iventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që kalojnë nën përgjegjësi administrimi për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare në të gjithë vendin. Vendimi mban numrin 1058 dhe ngarkon ministrin e Brendshëm, kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme dhe Drejtorinë e Shërbimeve për zbatimin e tij, si dhe hynte në fuqi menjëherë. Por në listën e këtyre pasurive, numrit 17 i korrespondon rezidenca qeveritare në Ujin e Ftohtë, në Vlorë. Përveç vilave, drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i kalon në pronësi edhe territori përreth vilave prej 15 hektarë. Por këtë sipërfaqe pronarët aktualë e kanë fituar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, madje edhe me vendim të Gjykatës së Lartë që në vitin 2003. Në vazhdim të VKM-së, drejtoria e Shërbimeve Qeveritare vazhdon procedurat, pavarësisht se nuk e përfiton këtë truall, në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë. Më 6 gusht 2008, ajo bën një tender, 20 ditë pas daljes se VKM-së për të ngritur një mur rrethues me 10 milionë lekë, pra vendos të rrethojë vilat jo më me shirit, por me mur.

Pra, Këshilli i Ministrave nuk është informuar që drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk ka pronësi për këtë truall. Asnjë prej pronarëve të njohur si të tillë të sipërfaqes prej 15 ha nuk është vënë në dijeni të arsyes së rrethimit të vilave qeveritare në Vlorë. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, rikonfirmon se drejtoria e Shërbimeve Qeveritare po ndërton pa leje. Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së ka folur për verifikimin e lejeve të ndërtimit dhe legjitimitetin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›