E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani "arreston" policin që rrahu klandestinin

Mjaftoi një denoncim publik, që drejtësia të vihej në vend. Dje paradite, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, gjatë një konference shtypi denoncoi publikisht dhunën e policisë ndaj një qytetari. Gjatë drekës zhvilloi një takim "kokë më kokë" me Prokuroren e Përgjithshme dhe në orët e pasdites së djeshme është kryer ndalimi i oficerit të policisë Ardit Hasanbega. Më datën 8 nëntor 2008, një ekip i Avokatit të Popullit ka shkuar në Sarandë sapo ka marrë informacion për ngjarjen e ndodhur të keqtrajtimit të shtetasit Aristidh Glluçaj nga Gjormi i Vlorës, i cili ndodhej që nga data 6 nëntor 2008 në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë. "Pas kryerjes së hetimeve të pavarura, qysh më datë 8 nëntor 2008, Avokati i Popullit i ka kërkuar verbalisht Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë fillimin e hetimit për veprën penale të ‘torturës‘, sipas nenit 86 të Kodit Penal ndaj oficerit të policisë gjyqësore Sarandë, Ardit Hasanbega, dhe ka kërkuar për të hetime të shpejta, të drejta e objektive", u shpreh Dobjani në një dalje publike. Sipas tij, kërkesa është bërë, sepse policia dhe Prokuroria e Sarandës e kanë shkelur këtë parim dhe nuk kanë zbatuar ndaj këtij oficeri policie as masën e ndalimit dhe as atë të arrestimit në flagrancë, në një kohë që këto organe masat i zbatojnë pa mëshirë dhe me nxitim ndaj fukarenjve, qoftë kur janë edhe në gjendje traumatike, por që shkelin ligjin në kushtet e nevojës ekstreme, për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjarët e tyre. "Ky rekomandim ka të bëjë me ushtrimin e dhunës fizike nga ana e oficerit të policisë më datën 6 nëntor 2008 në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë ndaj disa shtetasve shqiptarë, të cilët ishin të shoqëruar në këto ambiente me dyshimin për tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit shqiptaro-grek", tha Dobjani. Duke analizuar ngjarjen në fjalë, ai tha se "të quash organizator të trafikut një qytetar të thjeshtë e të varfër deri në ekstrem, që merr rrugën e emigrimit me një copë bukë e djathë në trastë, kjo nuk është luftë kundër trafikut, por alibi e luftës kundër trafikut, sepse edhe në rastin konkret vetëm se kamuflohen autorët dhe organizatorët e vërtetë të këtij trafiku". Avokati tha se rasti më i fundit i dhunës në Sarandë i kujton ngjarjen e vitit 2003 në Korçë, kur një shtetas shqiptar humbi jetën nga dhuna e policisë, e për pasojë pesë punonjës policie u dënuan nga gjykata deri me 15 vjet burg. "Edhe në atë rast reagimi i policisë dhe prokurorisë ndaj fajtorëve ishte me shumë vonesë. Mos vallë duhet pritur që ndonjë shtetas tjetër të vdesë nga dhuna policore që këto organe të veprojnë? Deri kur do vazhdojnë këto shfaqje oportunizmi dhe mbrojtjeje të policëve nga prokurorët? Po gjyqtarja e Sarandës pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Po kur njëri prej tyre u ‘këput‘ para syve të saj, pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës? Të gjitha këto janë shkelje të hapura ligji nga prokurorët dhe Gjykata e Sarandës. Del në dukje pyetja e përhershme që bëjnë shtetasit shqiptarë: Pse shkelin ligjet prokurorët e gjyqtarët dhe pse nuk ndëshkohen ata?" - tha Dobjani, duke bërë edhe një paralelizëm me ngjarjen e disa ditëve më parë në Butrint. "Po sikur edhe i arrestuari i tanishëm për kalim të paligjshëm të kufirit të kishte pasuar fatin tragjik të viktimave të Butrintit, çfarë do të kishin bërë autoritetet shtetërore? Ndërsa në kohën që ai u kap dhe është gjallë, policët e po këtij shteti ushtrojnë ndaj tij torturë. Dhe veç kësaj, në gjendje të rënduar shëndetësore, gjykata vendosi ndaj tij ‘arrest në burg për 30 ditë‘, në një kohë që ndaj kriminelëve që ushtruan torturën bënë një sy qorr dhe një vesh shurdh", deklaroi Dobjani. Por reagimi ka qenë i shpejtë, ku në orët e pasdites së djeshme është kryer edhe ndalimi i oficerit të policisë.

Ina Rama: Hetim të shpejtë të ngjarjes

Kryeprokurorja Ina Rama, pasi është informuar drejtpërdrejt nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, për ngjarjen e ndodhur në Sarandë të keqtrajtimit të shtetasit Aristidh Glluçaj, ka urdhëruar Prokurorinë e Sarandës të kryejë një hetim të shpejtë, efektiv dhe objektiv për këtë ngjarje. Rama kërkon që dhuna e pretenduar të zbardhet sa më shpejt dhe të vihen përpara përgjegjësisë autorët e saj. "I është kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë që të merren të gjitha masat ndaj personave përgjegjës në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë sa më të shpejtë", thuhej në njoftimin e akuzës qendrore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›