Arrestohet për korrupsion kontrollori i automjeteve
Etleva Delia
Një funksionar i Ministrisë së Transporteve, me detyrë inspektor i Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve, i cili u arrestua dje për korrupsion, rrezikon të akuzohet edhe për vjedhje. Gramoz Guci, 37 vjeç, është denoncuar nga një shofer që transportonte krom, me një kamion të tonazhit të rëndë, fillimisht për "korrupsion pasiv", e më pas edhe për vjedhje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të dy ditëve më parë, kur Sami Dega, drejtuesi i kamionit tip "Man", me targa BC 1001 B, duke kaluar në afërsi të Prezës në Tiranë, është ndaluar për kontroll nga inspektori Gramoz Guci dhe dy kolegë të tij. Paraprakisht drejtuesi i mjetit ka denoncuar ngjarjen në Policinë e Tiranës, duke pretenduar se i kishte dhënë inspektorit 2 mijë lekë të vjetra në formë ryshfeti, në mënyrë që ta linte të vazhdonte rrugën në drejtim të Tropojës. Por në momentin kur ka hipur në makinë për të vazhduar rrugën, shoferi ka parë që i mungonte shuma prej 492 mijë lekësh të reja, të cilat i kishte lënë në sediljen e përparme, bashkë me disa dokumente të tjera. Në këtë mënyrë ai ka hedhur dyshime mbi inspektorin Gramoz Guci dhe dy kolegët e tij, që i ka denoncuar edhe për vjedhje.
ARRESTIMI
Menjëherë pas kallëzimit të shoferit Sami Dega, oficerët e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës, kanë shoqëruar në polici për të dhënë deklarime tre inspektorët e Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve. Njëri prej tyre, Gramoz Guci, është arrestuar në flagrancë me akuzën e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", ndërsa kolegët e tij, Jak Paloka dhe Sharamet Qendro, u vendos të procedohen penalisht në gjendje të lirë. Ndërsa ata po mbaheshin në polici, shoferi Sami Dega ka thënë se i mungonin edhe paratë që kishte në kamion, para se të bëhej kontrolli. Duke pretenduar se shuma prej 492 mijë lekësh të reja ndodhej në sediljen e përparme të mjetit në momentin kur inspektorët e ndaluan për kontroll, Sami Dega ka hedhur dyshime se paratë mund të ishin vjedhur nga njëri prej 3 inspektorëve. Burime nga grupi hetimor thanë se shoferi ka deklaruar se ka zbritur nga makina për të biseduar me Gramoz Gucin, duke i dhënë 2 mijë lekë të vjetra, në mënyrë që ta linte të vazhdonte rrugën. Në atë moment dy inspektorët e tjerë qëndronin në distancë prej tyre. Më pas ai pretendon se ka debatuar edhe me dy inspektorët e tjerë, Paloka dhe Qendro, të cilët pretendonin se automjeti nuk kishte dokumentacion të rregullt. Disa minuta pasi ka vazhduar rrugën, ai ka parë se i mungonin paratë dhe ka dyshuar se njëri prej tyre mund t'ia kishte vjedhur gjatë kohës kur nuk ndodhej në makinë.