Të burgosurit: Kontrollet po na prishin ëmbëlsirat
Personat e arrestuar, që mbahen në paraburgimin 313 në kryeqytet, ankohen se kontrollet e policisë u dëmtojnë ëmbëlsirat e dërguara në qeli nga familjarët. Avokati i Popullit, i cili ka kryer një inspektim në burgun 313 në Tiranë, duke marrë kontakt me personat e privuar nga liria që mbahen në qeli, ka marrë ankesat e tyre në lidhje me kushtet e burgut. "Ankesa pati edhe në lidhje me kontrollin e ushqimeve që sjellin familjarët. Të paraburgosurit kërkuan që ëmbëlsirat të mos kontrollohen me të njëjtat sende që kontrollohen ushqimet e tjera", thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit, të hartuar pas kontrollit të ushtruar në paraburgimin e sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Sipas të dënuarve, ndërsa kontrollojnë në brendësi përbërjen e ushqimeve që familjarët çojnë në burg për të afërmit e tyre të arrestuar, policët përdorin të njëjtat mjete me ato që u kanë futur brenda ushqimeve të tjera dhe rrjedhimisht, humbet shija e ëmbëlsirës. Kontrolli i Avokatit të Popullit në burgun 313 ka gjetur edhe probleme të tjera si mbipopullimi i qelive; 4 persona që mbahen në një sipërfaqe 9 metër katrorë. Problematikë është cilësuar edhe ajrosja e pamjaftueshme e ambienteve, ndriçimi natyral i kufizuar dhe kushtet higjenike jo të mira. Gjithashtu inspektorët e AP-së kanë vlerësuar ankesën e të paraburgosurve, për numrin e pakët të kabinave telefonike, vetëm një kabinë për çdo kat dhe faktin që bisedat telefonike bëhen në praninë e personave të tjerë që presin në radhë. Sipas raportit të kontrollit, disa kuti instalimesh elektrike, paraqesin rrezik për jetën e të paraburgosurve, pasi telat që përcjellin korentin janë të pa izoluara në tualetet e burgut. Të paraburgosurit janë ankuar para inspektorëve të Avokatit të Popullit edhe për faktin që gjatë kontrolleve policore të dhomave të tyre për sende të ndaluara, dëmtohen sendet personale.