Durrës, shembet tavani në bibliotekë, një e plagosur
DURRES/ OERD ULQINI
Rrëzohet tavani në bibliotekën e Durrësit, duke plagosur rëndë një lexuese. Eldona Kurti 21 vjeç, studente e ciklit të ulët në Universitetin "Aleksandër Moisiu", ishte duke tërhequr një libër nga rafti, kur copa të rënda betoni u shkëputën nga trau, duke e goditur në shpatull dhe këmbë. Kanë qenë orët e mbrëmjes, kur në bibliotekë është dhënë alarmi, pasi vajza humbi ndjenjat. E transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, tashmë vajza është jashtë rrezikut. Sipas dëshmitarëve, nëse copa e betonit me peshë 1.5 kilogram, do të kishte rënë 11 centimetra më tutje, atëherë nga goditja në kokë pasojat mund të ishin tragjike. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Flora Dervishi, amortizimi 80-vjeçar i godinës e ka bërë atë të pabanueshme. Madje edhe grupi inxhinierik i Bashkisë ka dalë në konkluzionin se biblioteka mund të bjerë nga çasti në çast. "është një ngjarje e paralajmëruar dhe vetëm rastësia fatlume shmangu tragjedinë", tha Dervishi. Duket e pabesueshme, por në mungesë të një zgjidhje afatshkurtër të problemit, punonjësit e bibliotekës, të cilët janë edhe më të rrezikuarit, mund të përdorin helmetë gjatë 8-orëshit. "Kemi porositur helmeta kundër dëmtimeve (prej kartoni të presuar ose plastike), si ato të muratorëve, me qëllim parandalimin e rrezikut gjatë shembjes së radhës. Ne qëndrojmë këtu për orare të gjata, por edhe lexuesi duhet të përdorë në të ardhmen të tilla helmeta. Godina nuk mund të riparohet, pasi struktura e saj është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga vjetërsia. Zgjidhja më e mirë është shembja e ndërtesës dhe ngritja e një biblioteke të re. Problemi i madh mbeten fondet. Për këtë po bisedojmë me bashkinë, institucion ky që administron bibliotekën publike", u shpreh drejtoresha Dervishi. Prej të paktën 10 vjetësh, tavani i bibliotekës ka pësuar çarje të shumta, por asnjëherë më parë nuk ishin shënuar rënie copash betoni, me peshë 1.5 deri në 2 kg. Në kushte lagështire, aty ruhen 210 000 tituj librash, mes të cilave janë edhe botime të antikuarit në shqipe të vjetër, latinisht apo osmanisht. Pas ngjarjes, specialistë të bashkisë pohuan se godina duhet mbyllur, pasi është në gradën e fundit, megjithatë nuk është vendosur asgjë për të ardhmen e bibliotekës.