E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, gjyqtarët ankohen për mungesën e avokatëve

Dështimi për të katërtën herë i gjyqit ndaj “Bandës së Cërrikut”, të akuzuar për masakrën e 11 viteve më parë, ka detyruar Gjykatën e Krimeve të Rënda t’i drejtohet sërish Dhomës Kombëtare të Avokatëve dhe Ministrisë së Drejtësisë për të marrë masa ndaj avokatëve mbrojtës të të pandehurve të këtij procesi gjyqësor. Mungesa sistematike e avokatëve, ashtu si dhe tri seanca më parë, është bërë sërish shkak për shtyrjen e seancës së djeshme, duke e çuar në tre muaj kohëzgjatjen e këtij procesi dhe ende nuk është çelur shqyrtimi gjyqësor, që të parashtrohen kërkesat paraprake nga palët. Për këtë arsye, kryesuesi i trupit gjykues, Klodian Kurushi, ka vendosur të kërkojë ndihmë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim marrjen e masave ndaj avokatëve që bëhen shkak për dështimin e gjyqeve. Po e njëjta situatë paraqitet edhe në procesin gjyqësor në ngarkim të “Bandës së Durrësit” apo dhe procese të tjera gjyqësore që kanë gati 1 vit që kanë nisur dhe janë ende në fazën e leximit të kërkesës për gjykim apo dhe kërkesat e mbrojtjes për marrje provash. Të pandehurit e “Bandës së Cërrikut” janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomor Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, të akuzuar për vrasjen e 9 gardistëve dhe plagosjen e 16 efektivëve të policisë.

OSBE, Dhoma e Avokatisë, masa ligjore ndaj avokatëve që zvarrisin gjyqet

Në raportin e saj, Prezenca e OSBE-së tërheq vëmendjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për të cilën thekson se duhet të marrë masa disiplinore në përputhje me ligjin. Kodi i Procedurës Penale mund të ndryshohet, duke parashikuar dispozita në bazë të të cilave gjykatat të vendosin gjoba për palët e thirrura, të cilat nuk paraqiten për shkaqe të paarsyeshme; të autorizojë gjykatën të nxjerrë një urdhër ndalimi për të pandehurin që nuk është paraqitur pa arsye; të përfshijë mundësinë që gjykata të miratojë masa disiplinore ndaj avokatëve mbrojtës dhe prokurorëve dhe të kërkojë zëvendësimin e këtyre të fundit kur nuk paraqiten. Kodi i Procedurës Penale mund të ndryshohet për të kërkuar që ankimuesi të deklarojë qartë në kërkesën ankimore adresën e tij për dorëzimin e njoftimeve gjyqësore në të ardhmen, me qëllim që çdo dokument i dërguar në atë adresë të quhet i dorëzuar. Gjithashtu, sipas Prezencës së OSBE-së, Dhoma e Avokatëve në Shqipëri duhet ta ushtrojë më me përgjegjësi rolin e saj dhe të marrë masa ndaj avokatëve që vazhdimisht nuk marrin pjesë në proceset gjyqësore, sidomos kur ka të dhëna që shtyrjet përdoren si taktik ë zvarritëse. Madje, sipas raportit të OSBE-së, duhet marrë në konsideratë mundësia e parashikimit të masave disiplinore në Kodin e Procedurës Penale. Masat që mund të vihen janë detyrimi për të paguar një pjesë apo të gjitha shpenzimet procedurale, gjobat, ndalimi për të përfaqësuar çështjen konkrete ose ndalimi për të dalë në përgjithësi si avokat para gjykatës. Megjithatë, masa e parë dhe më e rëndësishme është që gjykatat t’ua bëjnë absolutisht të qartë të gjitha palëve që nuk do të tolerohet më zvarritja e proceseve gjyqësore. Abuzimet sistematike dhe të përsëritura duhet të bëjnë që avokatit t’i ndalohet të vazhdojë përfaqësimin e çështjes që ka në dorë dhe nëse përcaktohet se një avokat mbrojtës ka një histori zvarritjesh të proceseve gjyqësore, atij ose asaj, i duhet ndaluar të dalë përpara gjykatës në fjalë.

Ministria e Drejtësisë, draft për ligjin për Avokatinë

Zvarritjet e gjyqeve për shkak se avokatët nuk paraqiten ne seanca kanë bërë që Ministria e Drejtësisë të nisë hartimin e një drafti të ri ligjor. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka sqaruar në fillim të këtij muaji se pas miratimit të këtij projektligji, shumë avokatë do të humbin edhe licencat e tyre, si mënyra e vetme për të ndërhyrë fort ndaj atyre që degradojnë procesin. “Gjithmonë e më shpesh në tavolinën e ministrit të Drejtësisë vijnë ankesa të bëra nga prokurorë, të bëra nga gjyqtarë, për avokatët, të cilët bëhen një barrë e madhe për shtyrjen e proceseve gjyqësore. Ministria e Drejtësisë, së bashku me Dhomën Kombëtare të Avokatëve, do të krijojnë një lloj mekanizmi, i cili do të funksionojë nga kjo kohë e më vonë, për të bërë avokatët më të përgjegjshëm ndaj financave të tyre, por edhe ndaj të tretëve”. Kreu i institucionit të Drejtësisë shtoi se avokatët nuk mund të qëndrojnë më me idenë se me vonesat e tyre mund të shpëtojnë klientët. Ai u shpreh se “Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Dhomën e Avokatisë do të sjellë zhdukjen e fenomenit, si dhe zvarritjen pa fund të proceseve gjyqësore”.

Rekomandime

Dhoma e Avokatëve në Shqipëri duhet ta ushtrojë më me përgjegjësi rolin e saj dhe të marrë masa ndaj avokatëve që vazhdimisht nuk marrin pjesë në proceset gjyqësore, sidomos kur ka të dhëna që shtyrjet përdoren si taktikë zvarritëse

Sipas raportit të OSBE-së, duhet marrë në konsideratë mundësia e parashikimit të masave disiplinore në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas OSBE-së, masa e parë dhe më e rëndësishme është që gjykatat t’ua bëjnë absolutisht të qartë të gjitha palëve që nuk do të tolerohet më zvarritja e proceseve gjyqësore.

Masat që mund të vihen janë detyrimi për të paguar një pjesë apo të gjitha shpenzimet procedurale, gjobat, ndalimi për të përfaqësuar çështjen konkrete ose ndalimi, për të dalë në përgjithësi si avokat para gjykatës.

Abuzimet sistematike dhe të përsëritura duhet të bëjnë që avokatit t’i ndalohet të vazhdojë përfaqësimin e çështjes që ka në dorë dhe nëse përcaktohet se një avokat mbrojtës ka një histori zvarritjesh të proceseve gjyqësore, atij ose asaj, i duhet ndaluar të dalë përpara gjykatës në fjalë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›