E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për pengmarrje punonjësi i policisë ushtarake

Një konflikt për motive të bazuara në të ashtuquajturin cenim morali ka bërë që një punonjës i policisë ushtarake të marrë peng për një orë një të njohur, por ky akt e ka çuar më pas në pranga. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se natën mes së mërkurës dhe së enjtes është arrestuar në flagrancë Ramazan Alibejsi, 46 vjeç, nga fshati Romanat i Durrësit, me detyrë punonjës i policisë ushtarake. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e mërkurë, rreth orës 15.30, në një nga qendrat tregtare në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit ka marrë me forcë shtetasin Florent H., 38 vjeç, lindur në Berat e banues në Peqin. Ai e ka marrë nga ambientet e qendrës tregtare dhe e ka futur në automjetin e të dëmtuarit dhe më pas e ka dërguar në fshatin Xhafzotaj, ku e ka mbajtur për gati një orë. Pas lënies së lirë, pengu i përkohshëm ka bërë denoncim në polici, e cila ka ndërhyrë duke e vënë në pranga policin ushtarak, pa marrë parasysh pretendimet e tij. Nga konstatimet rezulton se goditjet i kanë shkaktuar 38-vjeçarit dëmtime të lehta trupore. Ngjarja është klasifikuar si vepër penale e ndodhur për motive të dobëta dhe 46-vjeçari po hetohet për heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit.

v.q.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›