Personi i kërkuar nxjerr pasaportë biometrike
I dënuari për vjedhje, i shpallur në kërkim prej policisë, arrin të nxjerrë pasaportë biometrike dhe tenton të kalojë kufirin. Ditën e djeshme, forcat e policisë kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit Durrës kapën personin në kërkim Altjon Sylaj, 26 vjeç, nga Tropoja me banim në Kamzë të Tiranës. Ky person, sipas policisë, është i dënuar për veprën penale të vjedhjes. Ai u kap në terminalin e pasagjerëve, ndërsa po paraqiste para autoriteteve të policisë kufitare pasaportën biometrike me nr. BG2943908, në emër të tij. Nga verifikimet në rrjet rezultoi se Sylaj ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nxjerrë urdhër-ndalimi për të që më 20 shkurt të këtij viti për një tjetër rast vjedhjeje të kryer në bashkëpunim.
v.q.
v.q.