Hajdutët tentojnë të riparojnë makinën e vjedhur
Nata e së mërkurës nuk ka qenë me fat për një grup grabitësish në qytetin e Sarandës. Ata i janë drejtuar ish-parkut të mallrave në këtë qytet, nga kanë mundur të nxjerrin prej parkimit autoveturën tip "Benz" me targë SR2571B, në pronësi të shtetasit Subi Hasani. Mësohet se grabitësit, që mendohet të kenë qenë më shumë se tre persona, kur kanë parë që automjeti nuk u ndizej, të palëkundur në synimin e grabitjes, kanë përdorur forcën fizike duke e shtyrë atë deri sa kanë dalë nga rrethimi i parkingut. Hajdutët kanë bërë edhe një përpjekje të dytë për ta ndezur pas daljes në rrugën kryesore, por duke qenë se nuk kanë pasur rezultat, kanë vendosur ta riparojnë mjetin. Për këtë ata kanë shqyer dollapët me vegla pune të mekanikëve në ambientet e ish-parkut. Duke qenë se edhe pas kësaj nuk arritën të vënë në punë sistemin elektrik të makinës të grabitur, hajdutët janë larguar duke e braktisur atë. Kjo është marrë vesh vetëm në orët e mëngjesit të djeshëm, kur pronari i automjetit, Subi Hasani, dhe mekanikët e reparteve të ish-parkut, kanë gjetur pasojat e tentativës së dështuar për grabitjes. Ata kanë telefonuar menjëherë në numrin 129 të policisë, por janë dashur gati tre orë që në vendngjarje të shkonte grupi i ekspertëve. Autorët e grabitjes së dështuar, ashtu ata të mjaft vjedhjeve në banesa e biznese kohët e fundit, kanë mbetur anonimë.
Th.Nika
Th.Nika