Plagoset një 34-vjeçar, dyshohet konflikt për kromin
Një 34-vjeçar u ka shpëtuar mrekullisht dy plumbave të shtënë në drejtim të tij, duke u plagosur lehtë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në vendin e quajtur "Pishat", rreth 2 kilometra larg qytetit të Bulqizës. Burime nga policia thanë për "Shqip" se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është F. Tërnova, 21 vjeç, i cili ka gjuajtur me pistoletë TT me dy plumba mbi shtetasin V. Shehu, 34 vjeç, që të dy nga Bulqiza, duke e plagosur atë. Autori, pasi ka gjuajtur me dy plumba mbi 34-vjeçarin, është larguar në drejtim të paditur. Policia lokale, e ndodhur në afërsi të vendit të ngjarjes, ka shkuar menjëherë dhe është vënë në kërkim të autorit. I plagosuri është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku pasi është mjekuar për plagët e marra ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, por nuk përjashtohet mundësia e ekzistencës së konflikteve që lidhen me mineralin e kromit. Policia ka ushtruar një kontroll në banesën e autorit të ngjarjes, ku ka gjetur një automatik kallashnikov, një arkë me fishekë dhe një sasi të vogël lënde plasëse. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, F. Tërnova, është vënë në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.