Dobjani, Burgajt: Merr masa për vetëvrasjen në Komisariatin e Durrësit
Shefi i Komisariatit të Policisë në Durrës, Gjelosh P., dhe shefi i Rendit, Genc P., janë shkaktarët kryesorë të vetëvrasjes në qeli të Klodian Bushit. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka rekomanduar drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, marrjen e masave të menjëhershme ndaj dy efektivëve të policisë, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë bërë shkaktarë të kësaj ngjarjeje të rëndë. "Rasti i vetëvarjes së shtetasit Klodian Bushi dhe shkeljet e drejtuesve të Komisariatit të Policisë Durrës të përgjithësohen në të gjitha organet e policisë vendore me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit policor dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen", është një tjetër rekomandim i Dobjanit për Burgajn. Sipas inspektorëve të Avokatit të Popullit, ngjarja daton në datën 12 nëntor, kur Klodian dhe Gjulferie Bushi, së bashku edhe me vajzën e tyre 5 vjeçe janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Durrës. Ata janë pritur nga punonjësit e policisë Marenglen Muça (i arrestuar më pas për bashkëpunim me grupin e Dritan Dajtit) dhe Arben Luçi. Ata janë marrë dhe janë futur në ambientet e policisë. Muça ka marrë për dëshmi bashkëshorten e Klodianit dhe këtë të fundit e ka lënë në korridor. Në këtë kohë, në polici ka ardhur edhe prokurori i çështjes, Sokol Nishani. "Meqenëse bashkëshortja e Klodianit dha të dhëna të rëndësishme, punonjësi i policisë Maringlen Muça, ka dalë nga zyra dhe ia ka dhënë në dorëzim Klodianin punonjësit të policisë Beqir Gjergji për ta shoqëruar e siguruar atë në ambientet e shoqërimit, duke i thënë se ai do të ndalohej", shkruan rekomandimi i Dobjanit. Sipas tyre, pasi Klodianit i është bërë kontrolli personal është shoqëruar në qeli, të cilat ndodhen në katin e parë, para godinës së policisë. Atij i ka lënë vetëm cigare dhe e ka mbyllur në këtë ambient të pajisur me derë hekuri, shul e dry, pa ndriçim elektrik dhe në errësirë të plotë. Mësohet se gjatë qëndrimit në ambientet e shoqërimit Klodiani është kontrolluar dhe punonjësi i policisë që e ruante i jepte edhe cigare. "Rreth orës 20:00 Beqir Gjergji duke qenë rreth 10 metra larg dhomave të shoqërimit, ka dëgjuar zhurmë, goditje të derës së dhomave të shoqërimit. Ai është afruar menjëherë dhe i ka thirrur Klodianit, por ai nuk është përgjigjur. Pastaj Beqiri ka hapur derën me vështirësi dhe ka konstatuar që Klodiani ishte varur prapa derës me një rrobë, (benevrekë) të cilën e kishte lidhur në qafë dhe krahun tjetër të saj në hekurat sipër derës. Beqiri i ka ardhur në ndihmë menjëherë atij, duke e zgjidhur dhe nxjerrë jashtë në oborr dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e rojës që ishte aty pranë. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë, duke i bërë frymëmarrje artificiale e veprime të tjera ndihmuese dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit të Durrësit. Në spital Klodian Bushi është dërguar i gjallë, por megjithëse i është ofruar ndihma mjekësore, ai ka vdekur", shkruhet në rekomandimin e Dobjanit. Për ngjarjen ka filluar hetimi, dhe inspektorët e Dobjanit konstatuan se kërkesat e akuzës për mjekësinë ligjore ishin të paplota dhe i kanë kërkuar morgut t‘i informojë për shkakun e vdekjes.
S.Çobo
S.Çobo