E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për vjedhje polici i kufirit

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë dhe Prokuroria e Vlorës
kanë prangosur dje një efektiv të policisë kufitare. I arrestuari është
Pajtim Shpata, 44 vjeç, i cili punonte në Drejtorinë e Policisë së
Kufirit dhe Emigracionit dhe kohët e fundit ishte me shërbim në portin
e mjeteve të bllokuara në Radhimë. Arrestimi i tij është bërë dje me
akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Gjithçka i referohet një
automjeti, të cilin Pajtim Shpata e kishte në ruajtje, në bazën ku kryente
detyrën. Diçka ka ndodhur me mjetin dhe nuk u gjend më nga kolegët
në vendin ku ishte lënë për ruajtje dhe dyshimi ra mbi efektivin Shpata,
i cili u arrestua menjëherë për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Pas prerjes
së urdhrit të arrestit nga Prokuroria e Vlorës dhe SHKB-ja, Shpata
është çuar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Vlorës, dhe po
dje Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg për të.
Pajtim Shpata punonte në polici prej më shumë se 10 vjetësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›