E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet “piromani” i parë, i vuri zjarrin kullotës në Sarandë

Policia e Sarandës vë në pranga për zjarrvënie Agim Alikajn

SARANDË – Prangoset autori i parë për zjarrvënie të qëllimshme, kur janë shënuar rastet e para të vatrave të zjarreve në vendin tonë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës ka rënë në pranga shtetasi Agim Alikaj, pasi akuzohet për vënien e flakës në një kullotë në rrethin e Sarandës. Zjarri i regjistruar dy ditë më parë, vjen menjëherë pas rënies së disa vatrave të zjarrit gjatë kësaj jave në Fieri, Lezhë, Shkodër. Megjithë alarmin e dhënë nga qeveria dhe strukturat e Emergjencave Civile, sërish po regjistrohen raste të zjarrvënieve, ashtu, si edhe vitin e kaluar, ku dëmet e shkaktuara në të gjithë Shqipërinë ishin të konsiderueshme.
Arrestimi
Për të kthyer një sipërfaqe kullote në tokë për përdorim personal, një shtetas nga Saranda, i ka vënë flakën zonës, por më pas ai është ndaluar nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21.00. është arrestuar në flagrancë shtetasi Agim Alikaj, lindur në Gjirokastër dhe banues në fshatin Berdenesh të rrethit të Sarandës. Sipas tyre, prangosja e 60-vjeçarit u bë për arsye se ky shtetas, dy ditë më parë, rreth orës 16.00, është kapur nga punonjësit e Policisë së Sarandës duke vendosur zjarre në një kodër pranë fshatit Berdenesh. Për pasojë flakët kanë djegur një sipërfaqe prej 2100 m2 tokë kullotë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Sarandës pasi 60-vjeçari Alikaj po ndiqet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Alarmi
Pak ditë më parë drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Alfred Olli paralajmëroi masa të rrepta për shkaktarët e zjarrit. Madje, ai kërkoi nga qeveria që të shqyrtohet mundësia për të dhënë masa më të rrepta ligjore për autorët e këtyre ngjarjeve. Një deklaratë e tillë është bërë, duke marrë në konsideratë ngjarjet e njëpasnjëshme të ndodhura vitin e kaluar. Me dhjetëra persona u ndaluan nga Policia e Shtetit për zjarrvënie. Raste të tilla u regjistruan në Vlorë, Pukë, Mirditë, Lezhë. Korçë, Elbasan etj.. Sipas të dhënave zyrtare, temperaturat e larta, por dhe dora e njeriut, u bënë shkas që në Shqipëri të digjeshin mbi 230 mijë hektarë pyje dhe kullota. Edhe gjatë kësaj vere, duket se do të mbajë një mot i nxehtë, i cili ka vënë në alarm Ministrinë e Brendshme dhe institucionet e tjera, pasi vendi ynë sërish rrezikohet nga katastrofat që mund të shkaktohen nga rënia e zjarreve.

I vihet tritol urës, plan për të bllokuar firmat e tullave

LEZHË – Disa persona i kanë vënë tritolin një ure në fshatin Mërçin, e cila lidh zonën me qytetin e Lezhës, ku dyshimet e para janë hedhur për një veprim të qëllimshëm, në mënyrë që të pengohen firmat që marrin dhe për prodhimin e tullave. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas tyre, një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive është vënë mbi urën e fshatit Mërçin, në komunën e Kallmetit, duke e bërë të pakalueshme. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa që është dëgjuar edhe në qytetin e Lezhës. Aktualisht është ndërprerë kalimi i automjeteve që lëvizin në aksin që lidh Kallmetin me qytetin, por kjo ka sjellë edhe bllokimin e aktivitetit të një firme që merret me prodhimin e tullave, e cila ndodhet fare pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Policia e Lezhës ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur edhe mbledhjen e informacioneve operative si dhe kryerjen e ekspertizës. Sipas burimeve policore, deri mbrëmë janë shoqëruar në komisariat rreth 25 persona, por akoma nuk është bërë e mundur identifikimi i autorit të ngjarjes. Nga të dhënat e marra në grupin hetimor, policia dyshon se tritoli mund të jetë vënë nga banorët e fshatit Mërçin, pasi ata prej disa kohësh janë në konflikt me pronarët e fabrikës së tullave, e cila merrte sasi të mëdha dheu në fshat për prodhimet e saj. Marrje e dheut kishte bërë që krijoheshin gropa të mëdha dhe gjatë reshjeve, ato mbusheshin me ujë si dhe përmbytnin tokat e banorëve të zonës. Ky shqetësim ishte ngritur edhe më parë nga banorët e fshatrave të komunës së Kallmetit. Një javë më parë Këshilli i Komunës kishte marrë vendimin për të bllokuar firmën në marrjen e lëndës së parë në këtë fshat. Pikërisht, kjo është pista kryesore mbi të cilën po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e tritol-vënësve.

Përleshen dy grupeve të rinjsh, plagosën kushërinjtë

VLORË – Dy të rinj, kushërinj me njëri-tjetrin, kanë rënë në pranga pasi kanë keqtrajtuar një 25-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 23.30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Spartak Dano dhe Ardian Dano, që të dy banues në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës. Sipas tyre, ndalimi i dy 32-vjeçarëve u bë për arsye se dyshohet që ditën e mërkurë, në grindje e sipër, për motive të dobëta, të kenë goditur me sende të forta bashkëfshatarin e tyre Artan Gjonzeneli. Si pasojë e dhunës, 25-vjeçari ka marrë plagë të rënda dhe aktualisht ndodhet ne Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore. Po ashtu, burimet policore pohojnë se ka mbetur i plagosur lehtë në këtë përplasje edhe Naim Gjonzeneli, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është larguar për në banesën e tij. Në përleshjen mes dy grupeve janë plagosur edhe vetë autorët e ushtrimit të dhunës, Ardian dhe Spartak Dano. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, këta dy shtetas po hetohen për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë, në bashkëpunim”.

Përgjaken rrugët, 1 i vdekur dhe 8 të plagosur

Sërish viktima në rrugët e vendit tonë të cilat po rrisin ndjeshëm bilancin tragjik, të shkaktuar nga aksidentet. Të paktën 1 person ka gjetur vdekjen dhe 8 persona janë plagosur rëndë në disa incidente të ndodhura në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në periferi të kryeqytetit ku një 33 vjeçar gjeti vdekjen mesditën e djeshme dhe katër të afërm të tij u plagosën, në një aksident të ndodhur në rrugën nacionale Pezë-Ndroq. Burime zyrtare të policisë së Tiranës thanë se "viktimë e këtij aksidenti është 33 vjeçari Altin Doka, i cili drejtonte automjetin tip Fuoristradë me targa TR 2413 K". Nga të dhënat e para të policisë rezulton se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe. Të njëjtat burime thanë se në këtë aksident mbeti i plagosur një fëmijë 2 vjeçar si dhe shtetasit Adem Doka, 60 vjeç, Silva Doka, 30 vjeç dhe Lije Ymeri, 40 vjeç, të cilët u transportuan në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku dhe po marrin ndihmën e parë mjekësore. Po dje, në orët e para të mëngjesit kanë mbetur të plagosur gjatë një përplasje mes një makine dhe një motori tre persona. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se rreth orës 01.00, në lagjen “3 Herojtë”, në rrugën kryesore në afërsi të ish Degës së Brendshme, janë përplasur motorçikleta tip Yamaha, me targa MA 146 A, e drejtuar nga shtetasi Pjetër Demaj dhe një veture Benz, me targa SH 0349 C, e drejtuar nga shtetasi Adem Alija. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit që kanë qenë duke udhëtuar në motor:
Pjetër Demaj, 54 vjeç, i cili ndodhet në reanimacion në Spitalin Rajonal të Shkodrës, S. Demaj, 9 vjeçare, dhe Nikoll Demaj, 45 vjeç, i cili është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Të tre të plagosurit janë me banim në fshatin Vrakë të rrethit të Malësisë së Madhe. Mesditën e së mërkurës ka ndodhur një tjetër aksident në Durrës, në aksin Manëz-Sukth. Shtetasi Z.T., 70 vjeç, me banim në Sukth, teksa ecte në këmbë, është përplasur nga mjeti tip benz me targa DI 44 42 A, i drejtuar nga Ajet Doda, i cili është ndaluar më pas nga policia.

LISTA E TË AKSIDENTUARVE

TIRANË
Altin Doka, 33 vjeç, - i vdekur
Adem Doka, 60 vjeç, i plagosur
Silva Doka, 30 vjeç, e plagosur
Lije Ymeri, 40 vjeç, i plagosur
Një fëmijë 2-vjeçar, i plagosur

SHKODËR
Pjetër Demaj, 54 vjeç, i plagosur
S. Demaj, 9 vjeçe, i plagosur
Nikoll Demaj, 45 vjeç, i plagosur

DURRËS
Z.T., 70 vjeç, i plagosur

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›