Vendimi, 40 vjet burg për çiftin që masakruan vajzën e tyre
SHKODËR – Drejtësia ka dhënë dënimin maksimal për çiftin që masakruan vajzën e tyre dhe e mbajtën të fshehur për 10 vjet me radhë. Dje ka përfunduar procesi ndaj Brahim dhe Nurije Facajt, ndaj të cilëve është dhënë vendimi me 40 vjet burg. Trupi gjykues ka marrë për bazë kërkesën e prokurores, e cila ka kërkuar 40 vjet burg për dy të pandehurit, 25 vjet për autorin kryesor të krimit, babain e vajzës, Brahim Facaj dhe 15 vjet për njerkën e vajzës, Nurije Facaj, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në krimin e vrasjes së kryer ndaj vajzës, Afërdita Facaj, 25 vjeçe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Drisht të komunës Postribë të rrethit të Shkodrës. Policia kishte arrestuar çiftin Facaj më 10 mars të vitit të kaluar, kur gjeti në oborrin e banesës së tyre në fshat kufomën e vajzës, e cila nga ana e banorëve të fshatit konsiderohej e larguar në emigracion. Një veprim i tillë i ndërmarrë nga Brahim dhe Nurije Facaj, në opinion e fshatit interpretohej si një ndëshkim që prindërit kishin marrë ndaj vajzës së tyre. Prindërit vrasës e kishin paragjykuar vajzën si të pabindur ndaj zakoneve të familjeve veriore siç ishte rasti në fjalë duke u larguar nga shtëpia pa lejen e tyre. Krimi i realizuar nga dy bashkëshortët, Brahim dhe Nurije Facaj, mbeti i fshehur për shumë vite, por nga hetimet intensive të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje dhe vënia përpara drejtësisë e autorëve.
4 Korrik 2008