Lufta brenda llojit dhe oponenca
Nga Luan Shtëpani
E cilësuar si më e rrezikshmja, më shkatërrimtarja e të gjitha proceseve politiko - ekonomike në Shqipëri, lufta brenda llojit ka ekzistuar, po lulëzon dhe ka gjasa të përhapet në të gjithë shoqërinë. Partitë politike dhe shoqëria civile po vuan sot pasojat e kësaj lufte të pamëshirshme për karrige dhe pushtet të pakufizuar, duke stopuar oponencën aq e domosdoshme për një shoqëri demokratike, të cilën e kemi aspiruar dhe e aspirojnë të gjithë. Njerëzit e veshur me pushtet, të ndarë në shumë fronte, me apo pa rol dominues, kanë përgatitur tashmë posterat e tyre të së ardhmes në kurriz të punonjësve, të papunëve dhe pensionistëve, të cilët vazhdojnë të presin pafund për të patur më shumë punë, përkujdesje nga shteti dhe mbi të gjitha mirëqenie. Larg vëmendjes ndaj problemeve të ditës po formatohen polet politike, të cilat nuk do të sjellin ndonjë të re në jetën social – ekonomike të qytetarëve. Ata tashmë e dinë mirë se sa herë ka fushata elektorale do të shtohen disa metra rrugë, do të përurohen dhe ripërurohen vepra dhe në fund pasi të mbarojë kjo fushatë do të shpresojnë se çfarë do të sjellë e nesërmja.
Sot në arenën politike dhe mediatike bëhet shumë zhurmë dhe debat, me synimin e vetëm për të mbajtur nën kontroll zonat e influencës, që për politikëbërësit me bindje të djathta, të majta dhe në qendër janë tepër të rëndësishme. Fjalët boshe, sloganet dhe premtimet i kanë shtrirë “rrënjët” në çdo familje shqiptare e cila për hir të së vërtetës është mbërthyer para gazetave dhe ekraneve televizive, duke humbur kohën e çmuar. Politikanët po zbatojnë me përpikëri skenarin për të larguar vëmendjen e popullsisë nga nevojat e përditshme duke shpresuar se një ditë ata përsëri do të jenë të votuarit e tyre. Dikush ka shkuar më larg falë pompozitetit dhe oratorisë, duke i ngazëllyer votuesit se po përpiqet për ta dhe nuk është e largët dita që do të përmirësohet jeta e tyre. Nga ana tjetër shpirti i të bërit oponencë po shuhet, sepse ka një çoroditje totale të qytetarëve të cilët shikojnë padrejtësi pikërisht nga njerëzit që i kanë besuar votën e tyre, të pakënaqurit vazhdojnë të mbetën në frontet e tyre të kundërshtisë pa reagim në pritje se çfarë do të bëhet, abstenuesit e kanë zgjedhur tashmë rrugët e tyre. Lufta brenda llojit bëhet më e ashpër nga përplasjet e vazhdueshme për fronte të reja, për më shumë vota dhe elektorat, pa anashkaluar këtu pushtetin e tretë, e thënë ndryshe OJF-të të cilët në këto vite tranzicioni nuk ka patur akses dominant në jetën e shoqërisë në përgjithësi. Krejt e kundërta ndodh me homologët europianë dhe botërorë të cilët ndjehen të lodhur duke dhënë leksione pambarim. Loja vazhdon, sot në një parti dhe nesër në një tjetër, po ashtu armatën e shoqërisë civile e shikon sot të bashkuar në një protestë apo në takime liderësh, ndërsa nesër në konferenca të ndarë duke injoruar dhe përbaltur punën e njëri- tjetrit. Farsa sa vjen dhe shtohet ku prek nga afër këtë realitet të hidhur. Larg fasadës së zhurmshme të shtrëngimit të duarve, pas luleve dhe përqafimeve mediatike vjen urrejtja e cila në shumë raste zgjatet pambarimisht. Qytetarët i besojnë verbërisht asaj që thuhet, perspektiva mbetet e zymtë dhe zhgënjimi gjithashtu. Me të drejtë ata i bëjnë thirrje në heshtje ndërgjegjes së tyre se me kë duhet të bashkëpunohet, ku po shkojmë a është e mirë rruga e nisur apo jo?! Të gjithëpushtetshmit dhe për një ngjarje të rëndomtë falë dhe ndihmesës mediaktike janë në gjendje të krijojnë grupime brenda një kohe sa më të shkurtër vetëm e vetëm të thithin sa më shumë fonde nga brenda dhe jashtë, për të jetuar sot dhe për të mbijetuar nesër. Në këtë treg të trazuar të OJF-ve një pjesë e organizatave të huajve bëjnë të paditurën duke akorduar fonde jo në drejtimin e duhur. Falë moskontrollit ato japin donacione për inekzistentët dhe në bashkëpunim me to marrin “honorarët” e shumës së akorduar. Në këtë vorbull ku askush nuk mban përgjegjësi për atë që bën, mbetët që i vetmi fajtor të jetë anëtarësia. Ata që kontribuojnë kanë të vetmen alternativë të nënshtrohen, në të kundërtën dihet fati i tyre. Në këto vite ka patur shumë deformime në vendimmarrje, largime të diktuara dhe me “dëshirë”, është shkelur dhe po shkelet mbi dinjitetin dhe personalitetin e njeriut
4 Korrik 2008