Shtrenjtohen huat në euro, BSH kërkon informimin e klientëve
Të fituar janë vetëm marrësit e kredive konsumatore
Ervin Koçi
Huamarrësit në euro kërcënohen nga shtrenjtimi i huave që kanë marrë. Nëse keni marrë një hua në euro, sot paguani 1 për qind më shumë se tre muaj më parë dhe më shumë se 3 për qind në krahasim me disa vite më parë. Nga muaji mars e në vazhdim, norma e interesit të euros në tregun ndërbankar (euribor), mbi bazën e të cilit zakonisht llogaritet interesi i ndryshueshëm i huave në euro, ka ardhur në rritje. Në fund të javës së kaluar norma e euriborit me maturim 12-mujor arriti në 5.43 për qind, nga 4.49 për qind që ishte në muajin mars. Kjo bën që norma e interesit të huave në euro, duke përfshirë edhe normën e interesit që aplikojnë bankat, të shkojnë mesatarisht rreth 9.43 për qind në vit (euribor +4%), nga 8.49 për qind që ishte në fillim të marsit. Kjo rritje e normës së euriborit vjen në një kohë kur në sistemin bankar shqiptar po verifikohet një shtim i huave me probleme. Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars përqindja e huave me probleme ndaj totalit të sistemit bankar arriti në 10.12 për qind, nga 8.79 për qind që ishte në muajin shkurt dhe 8.07 për qind që ishte në muajin dhjetor. Shtrenjtimi i mëtejshëm i huave për shkak të rritjes së euriborit, rrit shqetësimin për individët dhe bizneset që kanë marrë hua në euro. Huat në valutë përbëjnë rreth 73 për qind të portofolit të huas së sistemit bankar dhe pjesa dërrmuese e kredisë në valutë është në euro. Masiviteti i huadhënies në euro, në kushtet kur normat e interesit po rriten, mund të shtojë vështirësitë për huamarrësit, por edhe rreziqet për bankat që tashmë kanë nisur të përballen me shtimin e huave problematike.
Shtrëngohen kriteret
Pjesa e dytë e vitit pritet që të sjellë një shtrëngim të kushteve për të marrë një kredi konsumatore. Kërkesa për një shtrëngim të kushteve për këtë kredi vjen pasi një pjesë e madhe e këtyre financimeve që bankat bëjnë për individët paraqesin vonesë dhe probleme në shlyerje. Një pjesë e mirë e bankave të nivelit të dytë për kredinë konsumatore kanë filluar që të vendosin si kriter të detyrueshëm marrjen e pagës në atë bankë të klientit dhe në disa raste edhe të dorëzanësit. Reagimi vjen nga ana e sistemit bankar, që bën të ditur se do të shtrëngojë më tej kushtet për kredinë konsumatore gjatë muajve në vazhdim.
Leverdia e lekut
Shtrenjtimi i fundit i huave në euro sjell edhe njëherë në vëmendje problemin e mbizotërimit të kredisë në valutë në sistemin bankar shqiptar. Banka e Shqipërisë u ka kërkuar me këmbëngulje bankave të promovojnë më shumë kredinë në lekë, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Një nga shkaqet kryesore që ka nxitur rritjen e huadhënies në euro kanë qenë normat më të ulëta të interesit. Por a mund të shërbejë rritja e normave të interesit të huave në euro që huamarrësit shqiptarë të fillojnë t‘i vënë veshin këshillës për të marrë hua në lekë? Sipas bankave, kjo rritje e euriborit nuk është ende përcaktuese për të kthyer tendencën mbizotëruese në treg. Aq më tepër që normat e interesit të huave në lekë vazhdojnë të jenë më të larta. Mesatarisht, huat në lekë kanë një normë interesi rreth 12.24 për qind në vit (Bono Thesari 12 mujore + 4 për qind).
BOX.........................
Investimi në bono thesari, mundësi e mirë fitimi
Pak persona e dinë që të investosh në bono thesari është forma e mirë për të ruajtur kursimet. Bonot e thesarit kanë një interes vjetor mbi 8 për qind, afro 1,5 për qind më e lartë se depozitat që ofrojnë bankat e nivelit të dytë. Por edhe pse investimi në letra me vlerë është më i leverdishëm, kursimet e shqiptarëve janë dukshëm më të larta në banka. Procesi i investimit në letra me vlerë mund të bëhet pranë sportelit të Bankës së Shqipërisë, por edhe në bankat e nivelit të dytë. Pjesa më e madhe e depozitave të shqiptarëve janë në valutë të huaj. Kjo lidhet me faktin se kursimet vijnë nga emigrantët. Investimin në bono thesari mund ta kryejë çdo individ, mjafton të hapë një llogari dhe të kryejë transfertën e parave në një nga bankat e nivelit të dytë dhe më pas të lidhë kontratë në Bankën e Shqipërisë.
Shkurt//////////////////////////
Banka Europiane rrit interesat e euros për të shmangur inflacionin
Banka Qendrore Europiane ka rritur normën e interesit të eurozonës për herë të parë pas një viti, në një përpjekje për të kontrolluar inflacionin, që ka arritur nivele rekord. Çmimet në rritje të ushqimeve dhe karburanteve e kanë shtyrë autoritetin qendror financiar europian të rrisë normën nga 4 në 4,25 për qind. Inflacioni në eurozonë preku kuotën 4 për qind këtë javë, më e lartë që nga fillimi i regjistrimeve zyrtare në vitin 1996. Lëvizja ka sjellë menjëherë forcim të mëtejshëm të euros ndaj dollarit, por pritet të ketë edhe pasoja të tjera në ekonomi. Çmimi i naftës i është afruar kuotës 146 dollarë për fuçi për herë të parë në histori, pas lajmeve për një rënie të rezervave amerikane dhe shqetësimeve gjeopolitike për një konflikt me Iranin. Komentet e ministrit saudit të Naftës se vendi i tij nuk planifikon të rrisë menjëherë prodhimin, ndikuan gjithashtu në rritjen e çmimit në bursa. Nafta shënoi një rritje të menjëhershme me më shumë se tre dollarë, edhe për shkak të zhvlerësimit të monedhës amerikane, pas vendimit të Bankës Europiane për rritje të normës së interesit.
Kartëmonedhat e vjetra, si do të dalin nga qarkullimi
Banka e Shqipërisë ka përgatitur një strategji për tërheqjen nga qarkullimi të prerjeve të kartëmonedhave 100 dhe 200 lekëshe. Ky proces do të shtrohet në dy faza. E para konsiston në heqjen e kursit ligjor deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Ndërsa faza e dytë përfshinë mbledhjen e kartëmonedhave nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2010 për këmbim kundrejt pagesës të vlerës fillestare të emetimit me kartëmonedha dhe monedha të tjera të qarkullimit. Dorëzimi dhe këmbimi i tyre me kartëmonedha e monedha metalike me kurs ligjor do të bëhet pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë pa pagesë. BSH-ja udhëzon bankat e nivelit të dytë që në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 të pranojnë nga të gjithë personat fizikë e juridikë me këmbim prerjet e mësipërme, kundrejt vleftës së plotë fillestare. Kartëmonedhat e përcaktuara më lart do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor, pra do të mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datë 31 dhjetor 2008. Pas kësaj date ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese. BSH është hartuesja e planit të emetimeve të kartëmonedhave e monedhave kombëtare shqiptare, duke siguruar kështu furnizimin e rregullt dhe plotësimin e kërkesave të ekonomisë shqiptare me para. Ajo harton politikën e tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe të monedhave që ka emetuar, kundrejt shkëmbimit me kartëmonedha e monedha të emetimeve të reja. Ajo sekuestron e konfiskon kartëmonedhat dhe monedhat e falsifikuara.
Nafta “fluturon” sërish, tani 169 lekë në pikat e pakicës
Menaxhimi i keq i stokut nga kompanitë vendase solli rritje të menjëhershme të çmimit të naftës në tregun e brendshëm. Çmimi i naftës diezel prej 169 lekësh u shfaq dje për herë të parë në disa pika karburantesh në Tiranë, duke shënuar një rekord të ri për xhepat e shqiptarëve, si dhe largim të shpresave për inflacion më të ulët. Rritja e fundit prej 2-3 lekësh për litër vjen pas faktit që në tregun ndërkombëtar, çmimet mbetën të larta gjatë të gjithë qershorit dhe pavarësisht shumë parashikimeve për ulje çmimesh, një rekord i ri prej 143 dollarësh për fuçi u vendos vetëm dy ditë më parë. Në tregun ndërkombëtar, çmimi i diezelit arriti dje në 1288 dollarë për ton, ndërsa benzina u kuotua në 1158 dollarë për ton. Diezeli është rritur me 100 dollarë për ton vetëm brenda qershorit, ndërkohë që çmimi i benzinës nuk ka ndryshuar.
4 Korrik 2008