E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka akuza Pepës: “Ka abuzuar me fondet e QSUT-së”

Ministri, i kërkon kryeministrit shkarkimin e drejtorit Pepa

Emanuela Sako

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka e ka prekur në plagë Drejtorin e QSUT-së, Mati Pepa, ku e ka bërë përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar në spitale. Ndoka ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta, duke e bërë Pepën përgjegjësin kryesor për mungesën e barnave në të gjitha pavijonet e QSUT-së. Sipas tij, Pepa ka abuzuar me fondet e akorduara për blerjen e medikamenteve dhe materialeve të tjera të konsumit të përditshëm në spitale. Vlera e humbjeve të mëdha në medikamente arrin vlerën e 16 milionë lekëve të reja. Për keqmenaxhimin e fondeve dhe situatën e krijuar, Ndoka i ka kërkuar edhe njëherë zyrtarisht të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugë për përmirësimin e situatës. Ndërkohë që i ka kërkuar kryeministrit të bëjë shkarkimin e menjëhershëm të tij, për shkak të degradimit që po i bëhet çdo ditë e më shumë QSUT-së.
Akuzat
Debati mes Ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka dhe Drejtorit të QSUT-së, Mati Pepa, ka rreth tre muaj që është bërë publik, duke drejtuar akuza dhe kundërakuza ndërmjet tyre. Rreth një muaj më parë ministri Ndoka i kërkoi Pepës largimin nga detyra për paaftësi në drejtimin e qendrës më të madhe spitalore në vend.
Në një deklaratë për shtyp, të ditës së djeshme, Ministri ka bërë sërish përgjegjës drejtuesin e QSUT-së për abuzime në miliona lekë me medikamentet dhe refuzimin e kontrollit të grupeve të auditit të Ministrisë së Shëndetësisë për verifikimin e situatës së administrimit të medikamenteve të skaduara. Sipas tij, për QSUT janë dhënë 2,3 miliard lekë, 25% më shumë se më 2007 dhe 50% e shumës që shteti jep për spitalet në gjithë vendin. Burime nga Ministria e Shnëdetësisë sqarojnë se Ministria ka informacion të plotë se në QSUT janë krijuar humbje të mëdha në medikamente me vlerë deri në 16 milionë lekë të reja. Ndërkohë që, humbjet e paligjshme në medikamente kapin shifrën e më shumë se 1 milionë lekë të reja gjatë vitit të fundit. ǒka do të thotë se QSUT-ja do kishte ende rezerva të mjaftueshme të medikamenteve, materialeve të konsumit dhe blerjeve të tjera të vogla në barna që do të nevojiteshin. Ndoka dekaloi zyrtarisht se përgjegjësi kryesor për çdo problem të krijuar në keqmenaxhimin e QSUT-së dhe fushatën denigruese kundër politikave zyrtare qeveritare në fushën e Shëndetësisë, është ish- drejtori i QSUT-së, Mati Pepa. Ndërsa kërkoi edhe njëherë shkarkimin e menjëhershëm të tij, nga kryeministri i vendit.
Mungesat
Debati i nisur mes dy institucioneve, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorit të QSUT-së, ka lënë Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në gjendje kaosi. Kjo qendër, vazhdon të vuajë nga mungesat e medikamenteve dhe materialeve të konsumit të përditshëm që nevojiten për kurimin e mijra pacientëve me probleme shëndetësore. Pacientët ankohen se në spitale nuk u ofrohet ndihmë mjekësore me medikamente, duke u detyruar t’i blejnë vetë ato dhe më pas të drejtohen në spital për të marrë kurimin e nevojshëm. Ndërsa, shefat e pavijoneve pohojnë se nga Depoja Qëndrore Farmaceutike u ka shkuar lajmi se nuk ka asnjë rezervë të barnave. Për këtë ata shprehen se janë të detyruar t’i drejtojnë vetë pacientët pranë farmacive për të bërë blerjet e duhura. Dozat e fundit të medikamenteve janë ruajtur në rastet e urgjencave apo në rastet e ndonjë katastrofe natyrore apo njerëzore, ku do të kishte të plagosur. Veç mungesës së medikamenteve, fondet mungojnë edhe për blerjet e vogla të detergjentëve apo leckave për të larë pajisjet apo korridoret, të cilat mund të bëhen objekt për përhapjen e infeksioneve të shumta te të sëmurët. Një problem tepër i madh që e implikon më tepër debatin Ndoka- Pepa është se pacientët nuk dinë më ku të drejtojnë ankesat për problemet e tyre shëndetësore. Ata që e vuajnë më tepër këtë “mosmarrveshje” janë qytetarët që nuk dinë se ku të drejtohen në rastet e problemeve shëndetësore dhe se kur do të përfundojnë mungesat e medikamenteve në qendrën më të madhe spitalore të vendit. Pavijonet janë të boshatisura nga medikamentet, ndërsa shefat e pavijoneve mbrojnë punën e tyre, duke kërkuar furnizimin me të gjitha pajisjet mjekësore. Duke parë situatën, ata sqarojnë se për ta nuk ka përgjegjës për situatën, por problemi i tyre qëndron se nuk kanë mundësi që t’iu japin ndihmën e duhur pacientve. Mjekët e pediatrisë shprehen se janë kthyer në mjek primitivë, duke kryer vizita me anë të të parit, pa aparatura, pajisje mjekësore apo medikamente. Për këtë, fajësojnë autoritetet përgjegjëse, të cilët nuk po zhbllokojnë situatën.

Thatësira e ujit të pijshëm, pushton kryeqytetin
Kryeqyteti është zgjuar për të katërtën ditë pa ujë të pijshëm në çezmat e tyre. Thatësira duket se do të vazhdojë gjatë gjithë muajve të verës, ndërsa qytetarët janë të detyruar të vazhdojnë të sigurojnë rezerva me ujë. Ata janë të detyruar ta blejnë atë ose të mbushin bidonat në pjesë të çcara të tubacioneve të ujësjellsit, apo në ato pak çezma që njihen në periferi. Mungesën e ujit të pijshëm në kryeqytet, Ndërrmarja e Ujësjellës Kanalizmeve e shpjegon me faktin se uji shpërdorohet nga qytetarët, apo dhe nga lidhjet e parregullta të pallateve të reja. Sipas perfaqësuesve të kësaj ndërrmarje kufizime të ujit ka vetëm në orët e darkës, rreth 3 orë. Por nuk ndodh kështu me të gjitha lagjet e Tiranës, pasi një pjesë e tyre vuajnë prej disa ditësh nga mungesa e ujit, siç është Lapraka, Komuna e Parisit etj. Specialistët shpjegojnë se situata e verës së një viti më parë nuk do të përsëritet më. Në raste emergjente, do të ketë edhe furnizim të qytetarëve me ujë, nëpërmjet boteve. Ndërmarrja e Ujsjellës- Kanalzimeve sqaroi se janë ushtruar një sërë kontrrollesh për të verifikuar rastet e shkeljeve. Nga verifikimet e kryera rezultoi se rreth 71 lavazhe përdornin ujin e pijshëm për larjen e makinave. Ndaj tyre është marr masa e ndërprerjes së ujit. Ndërkohë që janë gjobitur rreth 34 subjekte për shpërdorim të ujit të pijshëm. Aksioni i kontrrolleve për ndërhyrje në rrjet do të vazhdojë gjatë gjithë verës, në mënyrë që qytetarëve të Tiranës të mos u mungojë uji i pijshëm.

Stina e Verës, bie fluksi i të vegjëlve në kopshte dhe çerdhe

Institucionet e vetme të edukimit që do të qëndrojnë të hapura gjatë stins së verës do të jenë kopshtet dhe çerdhet. Megjithëse numri i të vegjëlve që do të frekuentojnë këto qendra po shkon drejt rënies. Shkak për këtë janë bërë temperaturat e larta dhe dëshira e prindërve për të shkuar me pushime me fëmijët. Burime pranë Bashkisë së Tiransë, sqarojnë se të gjithë institucionet publikë të kopshteve dhe çerdheve, do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë sezonit të verës. Kështu, Bashkia e Tiranës sqaron se ka një ndrydhje të prindërve, të cilët besojnë se këto institucione nuk do të funksionojnë. Ndërkohë që, stafi do të jetë i plotë dhe marrja e lejeve nga edukatorët do të bëhet si në çdo institucion tjetër shtetëror. Në Tiranë, funksionojnë rreth 29 çerdhe publike dhe një pjesë e madhe e tyre janë private. Ndërkohë që kapaciteti i pranimit për këtë vit ka qenë 1732 fëmijë në të gjitha këto qendra. Ndërsa numri i kopshteve është më i lartë, ai arrin në 61, ku 44 kopshte janë publikë dhe 17 janë jopublikë. Numri i fëmijëve që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet gjatë vitit është i lartë. Kjo, pasi prindërit janë të angazhuar me punë dhe janë të detyruar që fëmijët e tyre të qëndrojnë në këto qendra edukimi dhe kujdesi për fëmijët e vegjël. Tarifa që duhet të paguajnë prindërit për fëmijët e tyre që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet është 30 mijë lekë në muaj. Pagesa shlyhet në çdo fillim muaji. Ndërsa kategoritë në nevojë e përfitojnë falas këtë shërbim. Fëmijët që kanë prindërit të ndarë, të papunë, apo bëjnë pjesë në kategorinë e Paraplegjikëve ose Tetraplegjikëve, do të frekuentojnë falas gjatë gjithë vitit këto institucione.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›