E Hënë, 2 Nëntor 2026

grandi grek, fantazme e buxhetit te kultures

17/12/2004  Grandi grek

Fantazma e buxhetit të kulturës

U bënë pesë vite që protokolli zyrtar midis Greqisë dhe Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje për të financuar ndërtimin e një teatri në Tiranë, me një grand prej 3.5 milionë lekësh. Por u bënë, prapw, pesë vite që qeveria shqiptare e përfshin këtë grand në buxhetin për kulturën, madje, duke e përfshirë gjithnjë si rritje në përqindje të të ardhurave për kulturën. E njëjta gjë ndodhi dhe këtë vit, kur dje ministri i Kulturës Blendi

Klosi paraqiti për mediat buxhetin e 2005. Shifra ishte 1 miliard e 691 milion lekë, duke përfshirë dhe grandin e grekëve, i cili, tashmë, është kthyer në një realitet fantazmë për kulturën. Klosi tha shkurt e prerë se, ky grand do të shfrytëzohet brenda këtij viti për ndërtimin e një godine teatri. Por, në të vërtetë, pak ditë më parë janë takuar dy palët për të ridiskutuar “dokumentin” që mban peng paratë për teatrin. Këshilltari i ministrit, Arben Kumbaro, tha dje se i kanë paraqitur palës greke projektin për teatrin, por nuk dihet pse është bllokuar shfrytëzimi i parave. Në të vërtetë shuma që pretendohet të japin grekët, nëse e zgjidhin qesen ndonjëherë, nuk i plotëson krejt financimet që duhen për projektin. Ndërsa nga pala shqiptare nuk është dhënë ndonjë kanditaturë tjetër financimi, që të nisë zbatimi i projektit për ndërtimin e teatrit dhe, mbi të gjitha, që grekët “të binden” për t’i dhënë paratë në dorë. Sa i takon prioriteteve të MKRS për vitin 2005, Klosi ka deklaruar dje se, ky vit do të shpallet viti i trashëgimisë kulturore që do të thotë se investimet më të mëdha do të shkojnë për monumentet e kulturës. Gjatë vitit të ardhshem, MKRS ka parashikuar të investoje për restaurimin e monumenteve të kulturës 20 % më shumë se vitin e kaluar, në një kohë kur buxheti total është rritur 4 % , krahasuar me vitin 2004. Në këtë aspekt, Klosi ka theksuar se do të ndiqet filozofia e zhvillimit të turizmit kulturor, ku premtohet restaurimi i monumenteve të ndryshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe pushtetin vendor. Në këtë kuadër hyn dhe plani ndërministror për projektin pilot, që synon rivitalizmin dhe kompletimin e 10 qendrave me vlerë unikale për kulturën tonë kombëtare.

V. Murati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›