E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulejman Pitarka, teatri pasioni i jetes

17/12/2004  Sulejman Pitarka

Shkolla ime kontabiliteti, pasioni i jetës teatri

Aktori i madh i skenës shqiptare, Sulejman Pitarka, rikthehet në skenë pas plot 20 vitesh. Tepër i prekur nga ky rikthim në skenë, në dramën "Luga e drunjtë", me regji të Gëzim Kames, Pitarka ka deklaruar në konferencën për shtyp të organizuar në Teatrin Kombëtar, se "do të bëjë çmos për të arritur sadopak atë sukses që kam patur para 20 vitesh". Në këtë dramë të autorit amerikan Edmond Morris, ai do të luaj rolin e babait të familjes, një vepër që vë përballë fëmijët me prindërit, në të ashtuquajturën "luftë midis brezave". Në intervistën dhënë për "Metropol", Pitarka ka shpjeguar edhe arsyet që e detyruan të "braktisë" skenën që nga viti 1984, por ai nuk do të qëndronte kurrë indiferent ndaj artit. Ai ka folur midis të tjerash për çështjet e "brezit të tretë", duke nënvizuar se shoqëria jonë, pavarësisht nga luhatjet, ka ende forcë dhe vazhdon të ruaj traditën e shëndoshë.

Një kohë shumë e gjatë larg skenës...

Natyrisht që, edhe kjo e ka një shpjegim. Prej disa vitesh kam probleme me shikimin dhe kjo më ka detyruar të lexoj shumë ngadalë. Në fakt, leximi është një nga pasionet e mia më të mëdha dhe, sigurisht, edhe peripecitë e tjera që kam kaluar me shëndetin më kanë penguar. Por shpirtërisht e kam ndjekur shumë nga pranë artin, me aq sa kam mundur. Nga ana tjetër, edhe profesioni ynë është shumë i vështirë dhe kërkon një njohje të thellë të njerëzve, të marrëdhënieve të tyre dhe të jetës në përgjithësi, e atë që nuk mund ta siguroj nëpërmjet këtyre kontakteve, jam përpjekuar ta arrij nëpërmjet leximit. Në të vërtetë, unë kam studiuar për kontabilitet dhe, madje, kam punuar edhe 9 vjet në bankë. Por që në moshën 17-18 vjeçare më ka tërhequr shumë letërsia dhe kam shkruar gjëra modeste, si poezi, drama etj. Shpirtërisht kam qenë dhe vazhdoj të mbetem artist, pavarësisht nga fuqitë dhe mundësitë e mia.

Në karrierën tuaj të gjatë artistike, a keni luajtur ndonjë rol të ngjashëm?

Ky rol nuk ka, pothuajse, asgjë të përbashkët me rolet që kam luajtur në karrierën time, ose mund të ngjajë shumë pak me ndonjë rol. Kam përshtypjen, e cila është e shprehur në mënyrë të shumanshme, se është një figurë tepër interesante. Pas njëzet vitesh larg skenës, ajo që mund të them është se do ta kem shumë të vështirë, pavarësisht nga "forma" e mirë që kam patur në vitet para se të largohesha nga skena. Ndjehem jashtëzakonisht i emocionur dhe besoj se ata që më propozuan këtë rol, kanë patur një kurajo të madhe. Eshtë një rol i vështirë, në një dramë po kaq të vështirë dhe më duhet të uroj veten më "priftë fati". Dua të shtoj se, unë do të bëj maksimumin, për të bërë një punë të pëlqyeshme, në radhë të parë, për të mos penguar kolegët, për të mos krijuar vështirësi në skenë, për arsye të moshës që kam.

Në jetën e përditshme shqiptare sa e pranishme është kjo "luftë brezash", nisur edhe nga eksperiencat tuaja personale?

Do të filloja nga kategorizimi që u bëhet brezave. Personalisht, brez do të quaja moshën dhe kohën e aktivitetit të një aktori. Ndërsa nga ana e aftësive dhe talentit, unë nuk e ndaj një brez nga tjetri. Në aspektin e përgjithshëm shoqëror, e kryesisht në vendin tonë, nuk kam qenë asnjëherë indiferent. Për fat të keq vihet re një përkeqësim në marrëdhëniet familjare dhe me të vërtetë jam në një mendje me autorin e kësaj vepre, pasi vihet re njëfarë indiference ndaj të moshuarve. Nuk do ta quaja mungesë dashurie, por më tepër mungesë e konceptimit të detyrave që kanë brezat e rinj, ndaj atyre më të moshuar, pa përjashtuar edhe kujdesin, edhe detyrën, që është shumë më e madhe apo edhe shumë më e rëndësishme, e brezit të vjetër ndaj atij më të ri. Përplasja e të vjetrës me të renë është e lashtë sa vetë bota. Por nuk do ta quaja tragjike dhe, për më tepër në vendin tonë nuk jemi në atë gjendje që ndryshe quhet "për të qarë hallin". Ka ende vlera të mëdha të respektit dhe të moralit të popullit tonë, që janë faktorë shumë të rëndësishëm. Sikundër ndër vite ruajtëm gjuhën, vazhdojmë të mos humbasim disa veti shmë të mira të popullit, që i ka patur dhe për fat të mirë vazhdon t'i ketë akoma, pavarësisht nga ndonjë përjashtim.

Një proverb francez thotë: "Sikur rinia të dinte, sikur pleqëria të mundte"...

Pikërisht le të bëjmë atë që thotë ky proverb në thelb, t'i vejmë bashkë të dyja këto aftësi: të vjetërit dhe të rinjtë të marrin nga njëri-tjetri. Por, edhe përpjekjet do të sillnin rezultate pozitive, pasi si për kombin, ashtu edhe për familjen tonë, unë kam besim të madh, jo vetëm që do të përmirësohen gjërat, por do të shkojnë për më mirë. Megjithatë duhet shumë kujdes. Kujdes nga ata që e kanë në dorë këtë, duke filluar nga vetë individët dhe nga shoqëria, në përgjithësi, ku përfshihen shumë elementë, si arsimi, shkolla, shteti etj. Ka patur raste kur jam ndjerë pesimist në lidhje me këto probleme, por dëshira dhe shpresa më bëjnë të besoj se do të bëhet gjithçka më mirë, por duhen shumë përpjekje.

Intervistoi: Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›