E Hënë, 2 Nëntor 2026

Droga e Dibrës, pronarët, biznese të mëdha në Tiranë

17/12/2004  TIRANË –Hetimi për kapjen e 303 kileve marijuanë në Dibër javën e shkuar është zgjeruar në pesë qytete. Në katër prej tyre, narkotiku rezulton të ketë kaluar pa asnjë pengëse, ndërsa qyteti i pestë (Vlora), është vendi ku është marrë droga. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se më shumë se dhjetë persona janë identifikuar si pronarë dhe trafikantë të marijuanës. Javën e shkuar, policia e Dibrës arrestoi dy persona, të cilët me dy makina tip "Benz", përpiqeshin të kalonin në Maqedoni një sasi prej 303 kilesh marijuanë të presuar.

Pronarët

Hetuesit thanë se pronarët e tre kuintalëve drogë që u kapën në Dibër, veprojnë në Tiranë. “Disa prej bashkëpunëtorëve kanë biznese të fuqishme në kryeqytet dhe i mbajnë ato me paratë e trafikut”, thanë burimet e akuzës për Krime të Rënda. Sipas tyre, rrjeti i trafikut në të cilin u sekuestruan 303 kile marijuanë, ka funksionuar edhe më parë. “Kjo rrugë ka funksionuar prej kohësh, por më parë, nëpërmjet saj kanë kaluar në Maqedoni sasi më të vogla droge, nga 20 deri në 30 kile marijuanë”, pohuan burimet e organit të hetimeve. Sipas tyre, kapja e 303 kileve drogë javën e shkuar, u ka dhënë mundësi hetuesve të shkojnë tek emrat e personave që kanë kohë që bëjnë trafik me Maqedoninë. Sasia e madhe e narkotikut është bërë shkak që Prokuroria e Krimeve të Rënda të fillojë hartimin e një strategjie për shkatërrimin e këtij rrjeti.

Hetimet

Nëse i pyet për qytetin ku janë përqendruar hetimet, hetuesit nuk e kanë të lehtë të përgjigjen. Ata thonë se Vlora nuk është lënë jashtë vëmendjes, si qyteti nga i cili është marrë droga. Por disa efektiva të policisë në katër qytete të tjera janë shumë afër akuzës, pasi nuk kanë ushtruar asnjë kontroll, në dy makinat luksoze. Sipas hetimeve, droga është nisur me një makinë furgon nga Vlora, ndërsa në dy mjetet "Benz" droga është ngarkuar në një qytet tjetër. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka realizuar identifikimin e pronarëve, ndihmësve dhe bashkëpunëtorëve në trafikimin e drogës së kapur së fundmi, por, edhe personave që kanë kryer më parë trafik në këtë rrugë.

Zbulimi dhe kapja e

303 kileve drogë

Pasditen e datës 8 dhjetor, dy makina kërkonin me çdo kusht të shkelnin vijën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në pyjet tej kufirit shqiptar në Dibër, mushkat prisnin ngarkesën që do të çonin nga Shqipëria dy makina luksoze "Benz". Ishin 303 kile marijuanë të sjella nga Vlora, prodhim Shqipërie i kohëve të fundit. Me pak vëmendje, policia lokale ka zbuluar diçka të pazakontë në shpejtësinë e dy makinave, të cilave u është vënë pas në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë. Pas disa kilometrave ndjekje, trafikantët kanë ndaluar. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinë, policia gjeti ngarkesën e marijuanës. Dy shtetas u vunë në pranga, ndërsa makinat dhe droga u sekuestruan. 33-vjeçari Adrian Nasi, me profesion pilot dhe komandant ekuipazhi në repartin 3340 të Farkës, u vu në pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës bashkë me drejtuesin e makinës tjetër ku u gjet droga, Xhevdet Rrokaj. Të arrestuarit, sipas hetimit, kanë krushqi me njëri-tjetrin.

Kronologjia

8 dhjetor 2004

Kapen në kufirin shqiptaro-maqedonas në Dibër dy makina me një ngarkesë 303 kile marijuanë. Makinat tentuan të kalonin në Maqedoni. Arrestohen me akuzën e trafikut Adrian Nasi, 33 vjeç, pilot dhe komandant ekuipazhi në repartin 3340 të Farkës dhe Xhevdet Rrokaj nga Vlora, i cili ka krushqi me të arrestuarin e parë

8 dhjetor 2004

Prokuroria deklaron se pronari i drogës së kapur në Peshkopi ndodhet në Tiranë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, droga ishte marrë nga Durrësi e Vlora dhe do të dërgohej në tregun e Kosovës dhe Greqisë

9 dhjetor 2004

Sapo kalon pikën kufitare të Qafë-Thanës dhe hyn në tokën maqedonase, ndalohet dhe kontrollohet maunia e një firme private të bimëve medicinale nga Tirana. Gjenden 100 kile marijuanë, por largohet trafikanti që drejtonte mjetin e tonazhit të madh

10 dhjetor 2004

Prokuroria deklaron se 100 kile marijuanë të kapura në afërsi të Qafë-Thanës, do të kalonin nga Shkupi dhe më pas do të tregtoheshin ne tregun e Greqisë. Sipas dokumentacionit, maunia ishte e adresuar të shkonte deri në Shkup për arsye “tregtare”

13 dhjetor 2004

Policia maqedonase deklaron se trafiku i drogës me Maqedoninë, kryhet nga klane të Ministrisë së Rendit dhe të Mbrojtjes në Tiranë. Sipas deklaratës, policia e Shkupit ka siguruar prova operative për implikimin në trafik të strukturave “të larta” të Tiranës në narkotrafik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›