E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet, pronari i lokalit, ku u vra atleti

Pas një kontrolli në banesën e Avni Gacës, policia gjeti një sasi municionesh dhe e arrestoi atë si të dyshuar për krimin

Policia dyshon për një krim të kryer për nder, ndërsa dyshohet se është ngatërruar njeriu që do vritej. E mohon familja e të arrestuarit

TIRANE- Arrestohet nga policia e kryeqytetit, pronari i lokalit, pranë të cilit u vra atleti i njohur, Hasan Rakipi, 56 vjeç, në të cilin ai kishte drekuar vetëm pak minuta më parë. Policia e lidh krimin si të kryer për motive nderi ndërsa familja e të arrestuarit, mohon këtë version.

Avni Gaca 54 vjeç nga Burreli, banues në Kamëz, pranë kompleksit të ekipeve kombëtare, u arrestua dje në mesditë nga Zyra e Hetimit të Vrasjeve në kryeqytet, me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, pasi në banesën e tij, polcia gjeti një sasi prej rreth 100 copë fishekësh të kalibrave të ndryshëm të bllokuar prej saj në cilësinë e provave materiale.

Në lidhje me vrasjen e ish- atletit Rakipi, i cili sapo kishte filluar punë në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz, si përgatitës sportiv për moshat, mësohet se Gaca, po hetohet në cilësinë e personit të dyshuar, por jo të akuzuar.

Kjo pasi provat që policia ka mundur të sigurojë ndaj të dyshuarit, janë vetëm një kundërthënie e tij dhe e pjesëtarëve të familjes, në lidhje me vendndodhjen e të dyshuarit në momentin e krimit si dhe me faktin e gjetjes së një sasie municionesh, kryesisht fishekë në banesën e të arrestuarit gjatë kontrollit të kryer nga policia menjëherë pas vrasjes së Hasan Rakipit.

Paraprakisht dyshimet e policisë lidhen me faktin se një prej personave që ndodheshin në tavolinë me Hasan Rakipin, mund të kishte kryer provokime ndaj motrës së Avni Gacës, pronarit të lokalit ku ata drekonin.

Vrasja

Hasan Rakipi, 56 vjeç, ish- futbollisti i ekipit kombëtar të viteve '80, dhe i ekipit të Tiranës, si dhe mjeku Xhavit Koçi, sapo kishin lënë ambientin e kompleksit sportiv të ekipeve kombëtare të futbollit, kur bujtën në lokalin e Avni Gacës, për të ngrënë një drekë pas stërvitjes së ekipit që kishin. Pas më tepër se një ore që kur të tre ata ishin ulur në lokalin e Gacës, ata vendosën të ngriheshin dhe pasi kishin paguar, morën çantat, për t'u larguar.

Sapo mbërritën pranë veturës së Skënder Hodjes ata futën çantat sportive në bagazhin e veturës, kur një person i panjohur iu afrua atyre duke qëlluar, Rakipin që ndodhej i ulur në sediljen e pasagjerit. Më pas autori në mënyrë të pakuptueshme është larguar pa lënë asnjë gjurmë. Kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët e ndryshëm, mes të cilëve Gacën.

Kur hetuesit e pyetën se ku ishte ai në momentin e vrasjes, i arrestuari ka pohuar se nuk ndodhej në lokal. Në të kundërt e motra e tij, bashkë Avniun, në polici është shoqëruar e motra që punonte si banakiere, djali i tij, vajza, dhe nusja e Avniut.

Gjatë marrjes së tyre në pyetje, policia ka siguruar një dëshmi që binte ndesh me atë të arrestuarit, duke bërë që policia të ngrinte dyshime mbi të. Sipas hetuesve, deklarimi i Avni Gacës, se nuk ndodhej në lokal në momentin e krimit është kundërshtuar nga e shoqja gjatë deklarimit të saj të lirë, duke pohuar se i shoqi kishte qenë në lokal.

Ky deklarim, ka bërë që policia të ngrejë dyshime mbi të, por nuk përjashtohet mundësia që i arrestuari ta ketë dhënë deklarimin i gjendur nën presionin se mund të akuzohej ai për krimin duke qenë se kishte ndodhur pranë lokalit të tij.

Dyshimet e policisë janë shtuar më tepër mbi të arrestuarin, nisur nga fakti se ai ka deklaruar se nuk dinte se kush kishte qëlluar mbi ish- atletin Rakipi, i cili për herë të parë ishte klient i tij, ditën që u vra.

Familja Gaca:
Nuk kemi lidhje me krimin

Familja e të arrestuarit Avni Gaca, nuk ka pranuar dje të jetë përfshirë në krimin e vrasjes së Hasan Rakipit.

Për më tepër, ata kanë hedhur poshtë motivin e mundshëm të dyshuar nga policia si të mundshëm në lidhje me vrasjen e ish- atletit përpara lokalit të tyre, që ndodhet përballë kompleksit të ekipeve kombëtare në Kamëz, vetëm 200 metra në të djathtë të rrugës Tiranë- Kamëz.

Banesa e tyre ndodhet vetëm 30 metra, larg lokalit ku ndodhi ngjarja. Rreth orës 15:00 të mesditës së djeshme ende në banesën e tyre nuk ishin kthyer, djali i Avniut, vajza, bashkëshortja dhe motra e tij.

Për këtë shkak, të afërmit e familjes që ndodheshin në banesë, u shprehën të shqetësuar. "Ne kemi kohë që punojmë me këtë lokal dhe me të jetojmë,- thotë një grua e afërme e të arrestuarit Avni Gaca. Më tej ajo thotë se nuk ka dijeni se si ka ndodhur ngjarja e të shtunës në mbrëmje, pasi ajo nuk ndodhej në shtëpi, por se nuk ka asnjë lloj mundësie që Avniu të vriste njeri në lokalin e tij.

"Nëse flisni për një femër që shërbente në lokal ajo është e sëmurë prej shumë vitesh dhe nuk mund të ketë lindur asnjë sherr për askënd sepse ne shohim punën tonë gjithmonë",- thotë gruaja me flokë të lyera në të verdhë. Po ashtu ata përjashtojnë mundësinë e një krimi për nder, ndërsa pohojnë se fishekët janë të mbetur prej shumë vitesh dhe se ata nuk kanë mbajtur ndonjëherë armë në shtëpi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›