E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore :Ministria e Arsimit nis përgatitjet

Ministria e Arsimit ka miratuar programet orientuese, për lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje, për të gjithë maturantët që do t’i nënshtrohen procesit të maturës shtetërore. Çdo i interesuar mund t’i gjejë ato të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Këto programe do t’u shërbejnë të gjithë maturantëve, për t’u përgatitur si për dy provimet e detyruara, atë të matematikës dhe të letërsisë, por edhe për ato me zgjedhje. Ministria ka miratuar 14 programe orientuese, që përfshijnë të gjitha lëndët që zhvillohen në shkollat e mesme. Ndërkohë javën që vjen pritet të shpallet sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, edhe rregullorja e maturës shtetërore, e cila pritet të ketë edhe ndryshime. Sipas dhe deklaratave të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, para disa ditësh mendohet që këto ndryshime të jenë për sa u përket ambienteve ku maturantët do të zhvillojnë testimet. Mendohet që gjimnazistët në rrethet më të vogla të grumbullohen në një godinë në qytet, në një sallë të madhe dhe jo më në ambientet e shkollave të tyre. Ndërkohë që do të trajnohen më mirë administratorët e rretheve, pasi ata nuk kanë cilësinë e atyre në Tiranë. Këtë e dëshmon dhe fakti, se në maturat e mëparshme janë konstatuar raste të abuzimit me rregulloren nga mësuesit në rrethe të ndryshme të vendit. Ndërkohë edhe për këtë vit, nuk do të shtohet asnjë lëndë e re me zgjedhje dhe mesatarja do të zërë 20% të totalit të pikëve. E reja është se këtë vit, të gjitha provimet do të mbyllen më shpejt në fund të qershorit, dhe në fund të korrikut do të dalin rezultatet, me qëllim që maturantët të bëjnë zgjedhjet e duhura për plotësimin e formularit A2, i cili i lejon për të aplikuar në universitetet publike të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›