Premtohet angazhim për kthimin e të zhvendosurve

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka premtuar se pushteti lokal në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e lagjeve dhe komuniteteve në veri të qytetit do të punojë në krijimin e kushteve optimale që do të mundësojnë kthimin e të gjithë personave të zhvendosur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi të dielën me përfaqësuesit e lagjeve në veri të qytetit dhe me përfaqësues të ashkalinjve dhe romëve, me ç’rast tha se vetëm me përkushtimin e të gjithëve dhe qasje serioze e konstruktive, problemi i kthimit të familjeve në shtëpitë ku kanë jetuar më parë, mund të zgjidhet ashtu siç edhe duhet.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë dhe kanë të drejta të barabarta, të garantuar me Kushtetutë. Komuna do të bëjë çmos që qytetarët t’i gëzojnë këto të drejta. Kthimi në prona është një e drejtë elementare, por për t’u realizuar nevojitet vullnet midis komuniteteve”, ka thënë Kastrati.
Përfaqësuesi i Suhadollit, që gjendet në pjesën veriore të qytetit, Shefki Imeri, tha se në këtë fshat janë të vetëm edhe pesë shtëpi të pa rindërtuara, ndërsa Driton Gërguri nga “Kodra e Minatorëve”, tha se rindërtimi i dy shtëpive shqiptare dhe një serbe, me mjete të komunës, në lagje është mirëpritur dhe se me rastin e rindërtimit të shtëpive tjera, kjo lagje duhet të jetë prioritet.
Përfaqësuesi i ashkalinjve nga lagja “2 Korriku”, në jug të qytetit, Bashkim Krasniqi, kërkoi që të gjenden mundësitë për rindërtimin e pesë shtëpive për familjet ashkalinje që jetojnë aty me qira, të një familje që jeton në gjendje të rëndë banimi dhe të një tjetre që dëshiron të kthehet.
Ai, po ashtu kërkoi që të rregullohen edhe rrugët e lagjes, duke shtuar se nuk është mirë që të fokusohet vetëm në kthimin e romëve në lagjen e tyre, e të tjerët të lihen anash.
Brahim Selimi, përfaqësues i 17 familjeve ashkalinje që kanë jetuar në “Lagjen e Minatorëve”, në Stan Tërg, kurse tash jetojnë në kampin “Osterode” në veri të qytetit, kërkoi që këtyre familjeve çështja e banimit t’u zgjidhet diku në Mitrovicë, me ndërtimin e një objekti kolektiv, pasi që, siç tha ai, këto familje nuk po ndihen të sigurt.
Por, përfaqësuesi i policisë na bashkësi, Avni Zahiti, tha se janë krijuar kushte të plota sigurie në çdo mjedis, prandaj edhe ashkalinjtë mund të kthehen në Stan Tërg, pa asnjë problem.
Hetem Geci, përfaqësues i “Mercy Corps”, tha se USAID-i ka siguruar mjete për ndërtimin e 50 banesave, ndërsa BE-ja për ndërtimin e 90 banesave që do të implementohen nga “Mercy Corps” në të cilat do të vendosen të gjitha familjet rome dhe ashkalinje që jetojnë në dy kampet në veri, në “Osterode” dhe “Çesem Lluga”, të cilat sipas tij përfundimisht do të mbyllen gjatë këtij viti. /Kosovapress/