Aplikimi për pasaportat biometrike tejkalon parashikimet
Shqiptarët kanë “habitur” specialistët me vrullin e treguar për pajisjen me pasaporta biometrike, duke kapur shifrën e 475 mijë aplikimeve. Procesi, tepër i rëndësishëm, si një ndër kushtet themelore për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, ka kënaqur edhe Ministrinë e Brendshme, duke tejkaluar parashikimet. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, informoi se do të ndryshojnë edhe procedurat për pajisjen e qytetarëve me pasaportat e reja e kjo për shkak të procesit, që kryhet mbi rregulla të forta sigurie. Në bazë të rregullores së re, të gjithë qytetarët të cilët do të aplikojnë për pasaportën e re biometrike, në fillim do të duhet që të kontaktojnë me punonjësin e policisë, i cili ndodhet në të njëjtën zyrë me ata të aplikimit. Sipas Konjës, është e nevojshme që kontakti i parë të jetë me punonjësin e policisë, për të bërë të mundur që procesi më pas të vazhdojë normalisht. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme ka sqaruar më pas edhe mënyrën e veprimit të çdo individi, i cili drejtohet për në pikat e aplikimit për pasaporta biometrike.
Sipas Konjës, në rast se shtetasi zotëron pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit. Ndërsa, në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë pas verifikimit në sistem, i lëshon vërtetimin përkatës. Por nëse, pasaporta e vjetër nuk zotërohet më nga aplikuesi, kjo për arsye se është humbur apo vjedhur, atëherë ai do të jetë i detyruar që të shkojë në komisariatin ku dokumenti është lëshuar. Specialistët e policimit në komunitet do ta pajisin atë me një vërtetim përkatës, ndërsa ai do të lëshojë një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me pasaportën e tipit të vjetër.
“Në këtë mënyrë, shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së “Aleat”, vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar”, - deklaroi Konja
Nëpunësi i “Aleat” do të verifikojë pasaportën e bërë të pavlefshme dhe më pas ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas të dy rasteve të sipërpërmendura, dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së pasaportës së re biometrike për shtetasin.
Tashmë, nga ana e Policisë së Shtetit në të gjitha pikat e aplikimit në vend dhe në komisariatet janë caktuar personat përkatës, të cilët do të merren me kryerjen e kësaj pune.
“Ministria e Brendshme gjen rastin t’u bëjë përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të “Aleat”, për të aplikuar dhe për t’u pajisur me pasaporta biometrike duke përforcuar kështu suksesin e të gjithë procesit të përmbushjes së kritereve për përfitimin së shpejti të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Procesi i pajisjes me pasaporta biometrike është tepër i rëndësishëm për vendin. Kjo, pasi pajisja e shpejtë e shtetasve me pasaportat e reja biometrikë do të ndihmojë në liberalizimin e vizave, që pritet të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010.