E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat, Beja: PS smund të bëjë presion

“Shumica e cilësuar mund të keqpërdorej për të futur në “inpas” institucionin”

Opozita nuk mund të shfrytëzojë zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë për t’i bërë presion mazhorancës. Me këtë qëndrim doli dje deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja. Në një intervistë për “Shqip”, ai tha se në këtë procedurë do të zbatohet Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Duke komentuar deklaratën e kongresmenit amerikan, Delahunt, Beja insistoi se edhe ai kërkon një zgjidhje në kornizat kushtetuese të krizës politike.

Zoti Beja, ndërkombëtarët kanë rikthyer presionin për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar mes palëve. Kongresmeni amerikan, Bill Delahunt, i ka drejtuar një letër Kryeministrit Berisha, dhe po kështu ka pasur një raport të Byrosë së Këshillit të Europës. Si i shikoni këto deklarata?

Kuptohet që çdo shqetësim që vjen nga një kongresmen i respektuar i SHBA-ve është një shqetësim në emër të interesit të Shqipërisë dhe të institucioneve tona. Nga ajo që kam parë në media, pasi nuk kam pasur një kopje të letrës së tij, vura re se shqetësimi i tij është i njëjtë me atë të Këshillit të Europës, ku ai mbështet propozimin e KIE-së për një zgjidhje të krizës politike brenda parimeve që janë të bazuara te korniza kushtetuese. Unë besoj se kjo është shumë e rëndësishme, dhe e njëjta gjë thuhet edhe nga Byroja e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës. Ky është edhe qëndrimi që ne kemi pasur si mazhorancë dhe të cilit i qëndrojmë. Po kështu, në raportin zyrtar të Byrosë së Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së lidhur me gjendjen në Shqipëri, kërkohet dalja e vendit nga kjo situatë, e cila po përpiqet të agravohet nga opozita. Kjo, në një kohë, kur institucionet zyrtare si qeveria, parlamenti, po vijojnë përpjekjet e tyre në funksion të procesit të integrimit të vendit dhe heqjes së vizave. Unë shikoj që në qëndrimin e saj Byroja është konseguente në qëndrimet e saj edhe gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, por edhe në deklaratën e djeshme zyrtare në kuptim që rithekson që vendi në të cilin palët duhet të bëjnë dialog dhe diskutojnë e zgjidhin problemet është Parlamenti. Deklarata e djeshme e Byrosë është shumë e qartë dhe kërkon nga opozita të marrë pjesë në Parlament në mënyrë të përhershme. Kërkohet njëkohësisht që të mbrohet funksionimi i institucioneve shtetërore dhe nxit gjithashtu Gjykatën Kushtetuese që t’i kërkojë Komisionit të Venecias një mendim dhe këshillim për komisionin hetimor që është ngritur nga Parlamenti dhe që tashmë nuk po vepron për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës. Këto kërkesa nuk janë në funksion të njërës apo tjetrës palë politike, por në funksion të interesave të vendit që institucionet të funksionojnë normalisht, që të dyja palët të dialogojnë në Parlament dhe të ndikojnë në miratimin e ligjeve më të nevojshme për vendin.

A mund të ndikojë ky ngërç në vendimin e KE-së për liberalizimin e vizave për shqiptarët?

Absolutisht që çështja për heqjen e vizave, për qarkullimin e shqiptarëve në vendet Shengen është një përparësi për shqiptarët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Kjo është arsyeja pse qeveria, Parlamenti dhe institucionet që lidhen me to janë angazhuar drejtpërdrejt për të bërë maksimumin. është mjaft e pëlqyeshme dhe e dobishme mbështetja evidente që kanë dhënë institucionet më të rëndësishme europiane për këtë proces, por edhe puna e jashtëzakonshme që është bërë nga qeveria këto muaj që kanë kaluar. Të gjitha këto konvergojnë në sigurinë se vizat do të hiqen. Kjo sepse kushti për heqjen e vizave, lidhet me përmbushjen nga Shqipëria të të njëjtave standarde që kanë qenë të detyrueshme për t’u përmbushur edhe nga vendet e tjera të rajonit tonë. Shqipëria ka punuar, i ka realizuar të gjitha këto detyrime dhe kjo shprehet edhe në raportin që komisioni ka miratuar dje. Nuk ka dyshim që me realizimin e këtyre kushteve do të ecet përpara brenda procedurës dhe nevojave mes institucioneve të Bashkimit Europian. Sigurisht, nuk është e pëlqyeshme që opozita e ka bërë edhe këtë çështje, kalë beteje, si luftë ndaj mazhorancës me akuza dhe me ngritjen e tensionit në vend, të cilat nuk është se japin dritë dhe shkëlqim për procesin, por përkundrazi bien si hije për procesin. Duhet të kuptojmë që Shqipëria si vendet e tjera të rajonit duhet të fillonte që në prillin e kaluar në këtë proces, në mënyrë që ne të ishim futur njësoj bashkë me vendet e tjera. Kush ka qenë e veçanta e Shqipërisë? Ka qenë ajo që në muajin prill të vitit të kaluar përgatiste zgjedhjet, palët merreshin me to dhe ne duhet që patjetër të realizonim të gjitha garancitë ligjore, por edhe të besimin që zgjedhjet të ishin një sukses. Kjo bëri që vendi të angazhohej në drejtim të zgjedhjeve, ndërkohë që vendet e tjera të merreshin me përgatitjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Kur Këshilli i Bashkimit Europian u mblodh në verën e kaluar, Shqipëria nuk çoi gjë, sepse ndërsa të tjerët merreshin me pasaportat, ne merreshim me kartat e identitetit, sepse e kishim të nevojshme. Por tashmë nuk ka dyshim që Shqipëria i ka përmbushur dhe i ka bërë mirë kriteret që i kërkohen, po ecën përpara dhe në përputhje me procedurat do ta realizojë brenda vitit heqjen e vizave. Unë shpresoj që brenda verës të kemi lajme të mira, brenda atij afati që është vendosur jo thjesht nga shqiptarët, por në deklaratën e përbashkët të nëntorit të Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian. Aty thuhet se heqja e vizave për Shqipërinë të trajtohej si një çështje urgjente, sa më shpejt të jetë e mundur dhe deri në korrik të 2010-ës, janë të gjitha shprehje këto që gjenden në deklaratën e përbashkët të dy institucioneve më të fuqishme të BE-së. Të gëzohemi dhe të urojmë që të përmbushet ky afat dhe jo të ulërijmë që jemi me vonesë, siç po ndodh me opozitën sot. Nuk është mirë që në këtë situatë të provokohen të qara.

Ndërkaq, opozita po vijon protestat në shumë rrethe të vendit për të kulmuar me atë të 30 prillit në kryeqytet. A i japin këto protesta një imazh negativ Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve?

Protestat janë një gjë normale, ndodhin në botën demokratike. Sigurisht, nëse ato kanë një bazë sociale të gjerë bëhen më shqetësuese dhe kanë një peshë më të madhe. Kur janë protesta të nxitura për qëllime politike, kuptohet që do të thithin militantët e kësaj apo asaj partie që e organizojnë. Kështu që nuk mendoj se do të japë mesazhin e frikës, as në Shqipëri dhe as jashtë saj, se Shqipëria do të bjerë si shtet, se institucionet e saj do të bien. Këto janë naivitete që dëshmojnë për mentalitetin e organizatorëve, mentalitete të tejkaluara tashmë në Shqipëri. Kështu që përtej kësaj, protestat paqësore janë normale, njëkohësisht nuk është ndonjë çudi që Partia Socialiste dhe ajo Demokratike të mbushin këtë shesh, apo sheshet në Shqipëri, sepse janë forcat kryesore politike dhe kanë dëshmuar shumë herë që janë në gjendje t’i mbushin këto sheshe. Kështu që unë nuk pres ndonjë ndryshim të jetës së shqiptarëve dhe institucioneve dhe të ardhmërisë së Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Shqipëria do të ecë përpara, unë jam i sigurt që kokat e arsyeshme kanë veshë të dëgjojnë dhe të kuptojnë duke i parë të dy palët në deklaratat që bëjnë dhe në ecurinë e gjërave.

PS ka theksuar se është e udhës që anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të zgjidhen me një shumicë të cilësuar votash në Parlament. Si e shikoni këtë kërkesë?

Ne duhet të kuptojmë që institucionet janë për t’u forcuar dhe jo për t’u dobësuar. Që të gjithë ne kemi detyrat tona përpara Kushtetutës dhe ligjit dhe jo jashtë tyre. Procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve është shumë i rëndësishëm, ashtu si në të gjitha vendet e tjera dhe ne kemi një procedurë të fiksuar në Kushtetutë, në ligj dhe në Rregulloren e Parlamentit për zgjedhjen e tyre. Këto procedura janë për t’u zbatuar dhe jo për t’u hedhur në erë. Kjo do të thotë që opozita do të bënte shumë mirë që të merrte pjesë në procesin e votimit të tyre, në mënyrë që me votat e saj të ndikojë drejtpërdrejt në përzgjedhjen e atyre gjyqtarëve që kanë performancën më të mirë profesionale, besueshmërinë dhe ndershmërinë më të madhe. Kjo, në mënyrë që zgjedhja të jetë vërtet cilësore, sepse këto janë institucione me një rëndësi të madhe në jetën politike dhe në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. është detyra e opozitës të vijë dhe të marrë pjesë në votim. Ajo nuk mund të keqpërdori si presion pohimin “ne vijmë në Parlament, nëse ndryshohet dhe bëhet kusht që pa votat tona nuk kalon kush”, sepse kjo të lë të dyshosh se mund të keqpërdoret për të futur në “inpas” institucionin, pasi nuk mund të zgjidhen dot nëse nuk i do qejfi opozitës. Duhet të kuptojmë që Shqipëria ka vajtur në zgrip të vështirësive në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Kjo e detyroi PS-në dhe PD-në të ndërronin Kushtetutën, pikërisht që vendi të shpëtojë nga ngërçet nga mosfunksionimet. Ky propozim i PS-së është tërësisht i kundërt me atë që ka propozuar vitin e kaluar. Pastaj ky propozim është antikushtetues, pasi neni 81 i Kushtetutës përcakton qartë se kush janë ligjet që miratohen me shumicë të cilësuar dhe janë pikërisht ato ligje që lidhen me organizimin e institucioneve kushtetuese, jo me të zgjedhurit brenda tyre. Nuk është mirë që të vihen kushte antikushtetuese për të marrë pjesë në Parlament, por është një detyrim kushtetues. Ky qëndrim i opozitës nuk është thjesht jo i dobishëm, por në drejtim të gabuar.

Si po vijon puna në Komisionin e Jashtëm në lidhje me emërimin e ambasadorëve në vendet ku më parë s’ka pasur ambasada dhe në ato vende ku mandati i tyre ka mbaruar?

Edhe sot në komision kemi pasur dëgjimin e dy kandidaturave për ambasadorë dhe javën e kaluar prapë dy të tjerë. Ditën e enjte kemi prapë një tjetër kandidaturë për të dëgjuar. Këto seanca dëgjimore janë pjesë e punës së komisionit. Sot kemi dëgjuar kandidaturën e zotit Bejko për në Emiratet e Bashkuara dhe është e dobishme që Shqipëria të ketë përfaqësuesin e saj në një vend të vogël, por ka e ka Prodhimin e Përgjithshëm Bruto prej 200 miliardë USD në vit. Ky vend është i gatshëm të marrë pjesë në hapjen e tunelit mes Tiranës dhe Elbasanit. Po kështu me vendet e rajonit kemi rastin e Aeroportit të Kukësit. Njëkohësisht, komisioni do të vazhdojë edhe me lëvizjen e ambasadorëve të tjerë në përputhje me kriteret ligjore. Po kështu, po plotësojmë rrjetin e ambasadave dhe në vendet fqinje, për shkak të interesave të mëdha e të ndërsjella.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›