Lirohet ish-bosi i firmës piramidale, Kambo Marshall
Një tjetër ish-bos i firmave piramidale që lulëzuan në Shqipërinë postkomuniste ka fituar lirinë. Pas Shemsie Kadrisë, Lefter Cenajt, Vehbi Alimuçës dhe Fitim Kërxhalliut, radha i ka ardhur dje edhe Ylli Kambos, ish-bosi i firmës piramidale “Kambo Marshall”. I dënuari me dhjetë vjet burg ka lënë dje qelitë e burgut të Vaqarrit, pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, e cila verifikoi përfundimin e dënimit të dhënë ndaj të akuzuarit për vjedhje në shuma të mëdha më shumë se një herë. Ylli Kambo gjeti një tjetër rrugë ligjore për të pakësuar ditët e burgut. Me një padi ai iu drejtua gjykatës për t’i llogaritur ditët e burgut me kërkesën e ripërsëritur në lidhje me dënimin e tij. Shpesh herë, emri i tij është shënuar në Gjykatën e Tiranës për pavlefshmëri absolute të akteve administrative dhe konkretisht të dy vendimeve të dënimit të tij, që janë marrë në vitet 1998 dhe 2001. Ai pretendonte se gjatë zhvillimit të proceseve ka qenë jashtë shtetit dhe prokurori i çështjes nuk i ka dërguar fletëthirrje për ta vënë në dijeni lidhur me to. Në të njëjtën kërkesë, ish-bosi i firmës piramidale pretendonte se ishte gjykuar pa prezencën e tij në seancat gjyqësore të një avokati mbrojtës dhe kjo i ka dëmtuar seriozisht proceset, madje duke i bërë ato të pavlefshme. Bazuar në këto kërkesa, Ylli Kambo deklaronte se është mbajtur padrejtësisht në burg dhe kërkonte nga gjykata e kryeqytetit që të lirohej. Pas kërkesave të përsëritura edhe për ulje të dënimit, togat e zeza kanë vendosur përfundimisht lirimin e tij. Firma piramidale “Kambo Marshall” ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit. Pas përfundimit të procesit të auditit të firmave piramidale, si dhe procesit gjyqësor në ngarkim të presidentit të firmës, Ylli Kambo, rezultoi se kjo firmë kishte pasur 62 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Në vitin 1999, duke ndier rrezikun e arrestimit, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria dhe u shpall person në kërkim nga drejtësia shqiptare.
#