Arrestohet shijakasi i dënuar për trafik droge
Pranga për të shumëkërkuarin Astrit Keçi. I dënuar për trafik narkotikësh, 39-vjeçari Keçi ka arritur të çajë rrethimin policor dhe t‘ia mbathë, por vetëm për disa minuta. Ndjekja ka rezultuar e suksesshme dhe shijakasi ka përfunduar në pranga për t‘u dërguar në vendin ku do të vuajë dënimin. Kapja e Astrit Keçit u bë gjatë një operacioni të organizuar nga struktura policore për kërkimin. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Durrësit ka njohur vendimin e Gjykatës italiane të Pizës, të marrë më 15 prill 2005 dhe që e dënonte shijakasin me 14 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike. Nga drejtësia shqiptare vendimi është konvertuar në 10 vjet heqje lirie. I kërkuari fshihej në një fermë në zonën e Shijakut, e cila ishte pronë e tij. Ai qëndronte atje prej pak kohësh, por informatorët kanë përcjellë të dhënat për vendstrehimin e tij në polici, duke bërë të mundur kapjen. Burimet policore bënë të ditur se gjatë ndërhyrjes, Astrit Keçi bëri rezistencë ndaj shërbimeve të policisë, por u arrit të kapej.