Durrës, pranga ushtarit të Lul Berishës
Njeriu që paralajmëroi hakmarrjen me të shtëna armësh në varrimin e njërit prej anëtarëve të bandës së Lul Berishës është kapur nga policia e Durrësit dhe u vu në dispozicion të hetimeve, pas kërkesës së organit të akuzës. Armët e hakmarrjes u shkrehën gjatë ceremonisë së varrimit të Ervin Çukes, anëtarit të bandës së Lul Berishës në fundshtatorin e vitit 2007, duke dhënë sinjalin se vrasjet nuk do të reshtin mes bandave rivale të zonës së Spitallës. Elis Reka, 20 vjeç, nga Durrësi, u ndalua nga policia për armëmbajtje pa leje. Ai qe arrestuar në flagrancë bashkë me dy shokë të tjerë, menjëherë pas varrimit, por qe lënë i lirë, ndërsa ngjarja ishte nën hetim. Ka kaluar pak më shumë se një vit i plotë kalendarik që nga ajo kohë dhe bandat e Spitallës e aktiviteti i tyre kthehen në fokus edhe njëherë pas vrasjes së vëllait tjetër të Klodian Saliut, në shtator të këtij viti. Kanë qenë hetimet për ngjarjen e ndodhur në varrezat e qytetit bregdetar ato që kanë hedhur dritë mbi rolin e të riut nga Durrësi, Elis Reka, në atë ngjarje, ndërsa akuza e ngritur ndaj tij është përqendruar vetëm te një vepër penale. Reka u shpall në kërkim nga policia lokale dy ditë më parë, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, më 17 tetor, nxori ndaj tij urdhër ndalimin për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Që nga viti i trazuar 1997 nuk kishte ndodhur që në varrezat e Durrësit të shkrepeshin armë, por ndodhi vjeshtën e një dekade më pas, ndërsa familjarë e shokë përcillnin për në banesën e fundit 26-vjeçarin Çukja, i cili humbi jetën rreth 28 orë pas atentatit që iu bë në Lagjen Nr. 1 të Durrësit, në parkingun e një prej lokaleve të ngritura buzë detit. Viktima dyshohej si bashkëpunëtor në vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Ndriçimit, në korrikun e vitit 2007. Kundërpërgjigjja ishte e shpejtë me atentatin që u organizua ndaj të riut Çukja, i cili qe ndaluar si bashkëpunëtor në vrasjen e Çim Saliut dhe më pas ishte lënë i lirë për mungesë provash. Vetëm dy muaj më pas, 26-vjeçari ekzekutohet, ndërsa rreth një vit pas vrasjes së tij, shtatorin e sivjetshëm, vritet një tjetër vëlla i Klodian Saliut. Lamtumira që iu dha Çukes nuk kaloi qetë, por u përcoll me të shtëna në ajër, që tingëlluan si një mesazh i qartë për ngjarje të tjera kriminale dhe një hak që duhej marrë. Pas varrimit të Çukes, policë që ndiqnin nga afër ceremoninë mortore arrestuan në flagrancë tre të rinjtë: Sokol Meta, Elis Reka dhe Armand Bejko, të tre banorë të Durrësit. Me arrestimin e të rinjve u bllokua dhe një pistoletë e tipit TT, me 7 fishekë, e cila mbahej pa leje, ndërsa ndaj të rinjve nga Spitalla u ngritën akuzat e parashikuara nga nenet 278/2 dhe 25 të Kodit Penal. Një vit më pas, hetimet që nuk u mbyllën përfshinë rishtas në ngjarje Elis Rekën, banor i Lagjes Nr. 11 në Durrës, duke kërkuar ndalimin e tij për përfshirjen në ngjarjen e shtatorit të kaluar. Ndonëse kapot e bandave rivale të Spitallës janë nën arrest, situata dhe ngjarjet që kanë pasuar tregojnë se zona është ende e nxehtë dhe rivaliteti nuk është shuar mes anëtarëve të bandave që dikur ishin një.