Kontrabanda e cigareve, policia kap 21 mijë paketa
Policia e Malësisë së Madhe ka sekuestruar dje 21500 paketa cigaresh, të cilat ishin futur kontrabandë nga Mali i Zi. Sipas policisë, cigaret ishin vendosur në 43 koli me nga 50 steka secila, në një fugon tip "Fiat Dukato", me traga TR9524L. Fugoni me cigaret kontrabandë ka qenë duke lëvizur në fshatin Zagore të Malësisë së Madhe, por në momentin që shoferi ka vënë re policinë, e ka braktisur mjetin, duke ikur në drejtim të paditur. Policia ka sekuestruar fugonin në fjalë, së bashku me 43 koli cigare, nga të cilat 29 koli të markës "MN" dhe 14 koli të markës "Respect", që ishin pa pullë fiskale të Ministrisë së Financave. Gjithsej, sasia e cigareve të bllokuara arrin në 21500 paketa. Dyshohet se cigaret e bllokuara kanë hyrë kontrabandë nga Mali i Zi, nëpërmjet liqenit të Shkodrës, ose në rrugë tokësore nga kufiri në Han të Hotit. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arrestuar 32-vjeçarin Ervin Xhaka, nga Shkodra, i cili është pronari i fugonit dhe para pak ditësh kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e kësaj makine.