Masakrimi i çiftit Rrushi, për një borxh të vjetër
Një borxh i vjetër i pashlyer mendohet të jetë shkaku i masakrimit në banesë i çiftit Rrushi nga qyteti i Përrenjasit. Ndërkaq mësohet se janë identifikuar autorët dhe ndërsa njëri ka rënë në pranga, tjetri është shpallur në kërkim policor. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se është ndaluar Damo Lengo, 29 vjeç, lindur e banues në lagjen "5 Maji", Elbasan si autor i dyshuar për ngjarjen e 10 nëntorit në qytetin e Përrenjasit. I riu është prangosur rreth orës 22:30 të së shtunës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, teksa merrte mjekim për plagën që Astrit Rrushi i ka shkaktuar në momentin e përleshjes me një thikë që kishte në banesë. Ndërkaq mësohet se 30-vjeçari Hektor Dyrmyshi, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen "Syrja Dylgjeri" Elbasan është shpallur në kërkim. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se si rezultat i një pune të mirëfilltë investigative, operative, nëpërmjet metodave speciale të hetimit, nga ana e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Borxhi i vjetër". Burime të sigurta bëjnë të ditur se rreth katër vjet më parë, dy autorët e ngjarjes i kanë dhënë një borxh prej 1 milion lekësh, detyrim që kampisti ende nuk e kishte shlyer. "Moskorrektësia" e 49-vjeçarit Rrushi ka bërë që dy të rinjtë t‘ia merrnin borxhin me dhunë. Mbrëmjen e së enjtes së kaluar, rreth orës 20:30, të maskuar dhe me të armatosur ata kanë hyrë në banesën e çiftit Rrushi dhe pasi kanë lidhur bashkëshorten, Lirikën, duke i mbyllur edhe gojën, në pamundësi për të gjetur paratë kanë rrahur me bajonetën e armës çiftin Rrushi. Më pas janë larguar duke mundur t‘i përvidhen për disa ditë policisë. Çifti i dhunuar u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, nga ku mësohet se gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet. Ndërkohë, sipas burimeve të policisë, ngjarja ende nuk është zbardhur porsa kohë që autori i dytë ende nuk ka rënë në pranga. Për momentin nuk ka variant zyrtar rreth motiveve që çuan dy autorët të masakrojnë çiftin e bashkëshortëve nga Përrenjasi. Tashmë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur çështjen penale ndaj tyre për veprat e "plagosjes së rëndë", "dhunimit të banesës" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit pa lejen e organeve kompetente".
B. Dybeli
B. Dybeli