Martesat e përziera, si tregues i bashkëjetesës në Maqedoni
A janë përmirësuar marrëdhëniet mes dy grupeve etnike kryesore, shqiptare dhe maqedonase, në Maqedoni që nga konflikti ushtarak i vitit 2001, kur armiqësitë mes tyre arritën kulmin? Këto marrëdhënie, në fakt, në rastin e Maqedonisë, duhet të shihen në aspektin nëse shqiptarët kanë më shumë të drejta tani sesa më parë, shkurt, nëse shumica maqedonase sllave është e gatshme të bashkëjetojë me shqiptarët e këtij vendi në botën e sotme moderne të tolerancës dhe të mirëkuptimit. Po t‘i hedhësh një sy sipërfaqësor realitetit që ekziston në këtë drejtim, përgjigjja është pozitive. Shqiptarët sot, në Maqedoni, kanë shumë më tepër të drejta sesa më parë, përfaqësimi i tyre në administratën shtetërore dhe publike ka ardhur duke u rritur, megjithëse jo aty ku duhet, arsimi shqip, sidomos ai i lartë, ka njohur zhvillime të reja, aktivitetet kulturore e artistike janë në rritje, ata lejohen të përkujtojnë edhe zyrtarisht datat e shënuara të historisë dhe të kulturës së tyre etj.
Por... në thelb, po t‘i shikosh më në thellësi këto marrëdhënie ndëretnike të ndërsjella, pra ato njerëzore, pa qenë nevoja të bëhen shumë studime, do të konstatosh se ato lënë shumë për të dëshiruar, se në to ende mbizotërojnë, madje, në shpesh raste, në një shkallë të konsiderueshme, mosbesimi e dyshimi i ndërsjellë, paragjykimet etnike, fetare, për të mos përmendur ato politike; sapo dalin nga qendrat e punës ose shkollat e përbashkëta, shqiptarët e maqedonasit futen secili në botën e vet, shkurt bëjnë një jetë larg njëri-tjetrit. Dhe shembulli më konkret në këtë drejtim janë martesat mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra ato të përziera, që janë ndërkohë edhe treguesi më i mirë i nivelit të bashkëjetesës në vend dhe të cilat, ç‘është vërteta, jo vetëm që janë të pakta, por janë mjaft të rralla. Këtë e tregojnë më saktë edhe shifrat zyrtare të publikuara që, në fakt, nga viti në vit janë në rritje, por të papërfillshme. Dikush ngul këmbë se shkaku kryesor i kësaj dukurie është përkatësia fetare dhe si shembull sjellin numrin jo të vogël të martesave të përziera brenda një besimi fetar në këtë vend; në rastin e atij mysliman, midis shqiptarëve, turqve e boshnjakëve, kurse në rastin e besimit të krishterë, midis maqedonasve, serbëve dhe vllahëve. Por, megjithatë, kush ka mundësi dhe aftësi të bjerë pak në mendime, e kupton se përkatësia fetare nuk është kryesore, megjithëse është arsye, e mungesës së martesave të përziera mes shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë në Maqedoni. Sidoqoftë, ashtu sikurse u përmend edhe më lart, statistikat zyrtare që janë publikuar kohët e fundit nga Instituti i Statistikave të Maqedonisë dhe të cilave u referohet këto ditë media maqedonase, tregojnë se që nga viti 2003, në krahasim me të kaluarën, martesat mes shqiptarëve dhe maqedonasve kanë ardhur në rritje, megjithëse, sikurse e thamë më sipër, në shifra mjaft të vogla. Vitin e kaluar, sipas këtyre statistikave, pati 137 martesa të përziera, nga të cilat në 16 raste nusja ishte maqedonase, kurse dhëndri shqiptar, dhe në 121 raste të tjera nusja ishte shqiptare dhe dhëndri maqedonas; në vitin 2007 - 188 (19 raste - nusja maqedonase e dhëndri shqiptar dhe 169 e kundërta), në vitin 2006 - 246 (19 raste - nusja maqedonase e dhëndri shqiptar dhe 227 e kundërta). Sikurse shihet edhe nga këto pak shifra, duket qartë se meshkuj maqedonas preferojnë të marrin shumë herë më tepër nuse shqiptare sesa preferojnë meshkujt shqiptarë të marrin nuse maqedonase që, në fakt, edhe ky përbën një paragjykim më vete që i ka rrënjët e thella. Por, megjithatë, edhe këto shifra, qofshin edhe të vogla, të martesave të përziera shqiptare e maqedonase nuk janë aspak shprehje e gjendjes së vërtetë në këtë drejtim në këtë vend, për të mos thënë se kemi të bëjmë me një tablo të shtrembëruar të realitetit, sepse këto vitet e fundit ka marrë formë një dukuri e re... Shumë burra maqedonas nga zonat rurale të Maqedonisë janë martuar me nuse shqiptare, por jo nga Maqedonia, por .... nga Shqipëria, kohët e fundit sidomos nga zonat veriore të vendit tonë, dukuri kjo që është një histori më vete. "Statistikat lidhur me martesat e përziera, konkretisht mes maqedonasve dhe shqiptarëve nuk e reflektojnë realisht gjendjen lidhur me tendencën në rritje të këtyre martesave. Shifrat vetëm tregojnë se ka më shumë nuse shqiptare, por ato, në fakt, janë shqiptare nga Shqipëria", vihet në dukje në sektorin përkatës të Institutit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë. Sikurse thamë edhe më lart, lidhur me arsyet e mungesës së theksuar të martesave të përziera shqiptaro-maqedonase në Maqedoni si tregues të nivelit të bashkëjetesës së ndërsjellë, shumëkush fajëson politikën dhe median që përhapin ndasi, mosbesim dhe frikë në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. "Sipas meje, fajtorët kryesorë për ndasitë dhe mospranimet e ndërsjella mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë politika dhe media që përhapin urrejtje. Nga kontaktet e mia personale kam arritur ne konkluzionin se ekziston një lloj averzioni (armiqësie), madje edhe ndaj vendit, ku jeton. Unë jetoj në Komunën e Çairit të Shkupit, ku rrallëherë vijnë maqedonasit, pasi media maqedonase njofton vetëm për gjërat e këqija që ndodhin atje", thotë znj. Hajrie Ahmeti e organizatës joqeveritare "Vlerat e përbashkëta". Kurse sociologu maqedonas Ilija Acevski, nga ana e tij, shpreh mendimin se ajo që duhet të bëhet, është që të dyja palët të heqin dorë nga paragjykimet dhe që pjesëtarët e të dyja bashkësive etnike ta shohin njëri-tjetrin vetëm qenie njerëzore. "Sikur të arrijmë qoftë edhe shifrën 5 për qind sa u përket martesave mes maqedonasve dhe shqiptarëve, ky do të ishte një tregues i mirë se diçka po lëviz në drejtim të tolerancës dhe bashkëjetesës së ndërsjellë. Martesat e përziera janë treguesi më real dhe, në të njëjtën kohë, edhe më i fortë i bashkëjetesës ndëretnike, sesa mund të jetojnë së bashku pjesëtarët e këtyre dy bashkësive etnike në Maqedoni", thotë ai.
M.Sinemati