E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Britania i shumëkërkuari shqiptar

Në sekret të plotë e pa shumë bujë, oficerët e Interpol Tiranës, nëpërmjet aeroportit Stansted në Angli, në masa të rrepta sigurie të ofruara nga homologët britanikë, kanë ekstraduar dy ditë më parë një të shumëkërkuar shqiptar. Pas 12 vitesh fshehje në Londër dhe disa qytete të tjera angleze, ka marrë fund arratia e Selami Cokajt. Avokatët e tij kanë ndërmarrë një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore, ku i kanë humbur të gjitha betejat ligjore të cilat i çuan deri në Dhomën e Lordëve për të bllokuar ekstradimin. Selami Cokaj nga Shoshani i Tropojës është rikthyer në burg nga Interpoli për të plotësuar vuajtjen e dënimit. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare për përfundimin e dënimit, pasi është dënuar për vrasjen e një personi me thikë në vitin 1994. Tre vjet më pas, Cokaj duke përfituar nga trazirat e vitit 1997, u arratis nga burgu për të shkuar në Britaninë e Madhe, ku përdorte emrin Valton Gashi. Cokaj, baba i katër fëmijëve, kishte mundur të fitonte lejen e qëndrimit, madje edhe shtetësinë britanike. Gjatë viteve të fshehjes në veri të Anglisë, ai u shndërrua në një biznesmen të suksesshëm, duke ngritur disa pika lavazhesh për larjen e makinave. Selami Cokaj, 36 vjeç, marsin e këtij viti, ishte personazhi kryesor në dokumentarin "Të shumëkërkuarit në Angli", transmetuar në televizionin ITV. Menjëherë pas dokumentarit, ministri i Emigracionit, Phil Eolas, premtoi shpejtimin e procesit të ekstradimit. Organi më i lartë i drejtësisë britanike, Dhoma e Lordëve, refuzoi kërkesën e Cokajt për të mos u ekstraduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›