E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet shqiptari i kërkuar për vrasje me paramendim

29/08/2011  Aksioni policisë në Greqi

GREQI- Policia helene arrestoi në mëngjesin e së dielës një 39-vjeçar shqiptar, i shumëkërkuar që prej vitit 1996. Arrestimi i tij është kryer në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut. Ndaj tij ekziston një urdhër “i kuq”ndërkombëtar arresti me akuzën për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Organet greke nuk japin ende të dhëna për identitetin e tij për arsye hetimi. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Selanikut, ai ka qenë dënuar me 24 vjet burg në mungesë nga Gjykata e Krimeve në Tiranë. Megjithatë, ka lëvizur në vende të ndryshme të Evropës në këto 15 vjet. 39-vjeçari është kapur disa minuta para se të hipte në avion, kur është dyshuar se pasaporta e tij britanike dukej e falsifikuar. Policia greke nuk bën të njohur identitetin e të arrestuarit, ndërsa policia shqiptare ende nuk është vënë në dijeni. Në momentin e arrestimit ai ka qenë i vetëm, por organet greke po hetojnë për bashkëpunëtorë të mundshëm që e kanë ndihmuar të strehohet gjatë këtyre viteve. Nuk dihen ende hollësi se sa kohë ka qëndruar në Selanik dhe se ku ishte destinacioni i tij i ri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›