Kronika e një vdekjeje humoristike
Një afishe kontraversiale e një grupimi rinor shkaktoi një trazim të paprecedent në radhët e Policisë së Shtetit, duke përfshirë angazhimin e shefave të antikrimit, antidrogës, antiterrorit e një sërë institucionesh serioze të drejtësisë
Në çast e gjetëm veten të rrethuar nga tre apo katër makina policie. Di me siguri që njëri ishte furgon i mbushur plot. Kishte uniforma dhe pistoleta, drita elektrike që na drejtoheshin në fytyrë dhe ulërima. Pastaj një numër i madh policësh që u turrën të na ndalonin. Na kishin rrethuar nga të gjitha anët….
Kështu filloi një nga historitë më të pazakonta të muajve të fundit nga ato me policë, një tufë me kriminelë, bujë në media dhe vetëm një palë pranga.
Bëhet fjalë për grupin sabotator i cili sajoi vdekjen e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Përmes një njoftimi vdekjeje në format A4, grupi armiqësor stisi një shaka sa gazmore aq dhe makabre. Lajmërimi në fjalë, vepër e organizatës rinore Kuvendi Civil, e etiketonte të ndjerin si anëtar të Partisë Komuniste, shok anti-kombëtar e të tjera si këto. Nëse vlerësimet për sensin e përdorur të humorit variojnë sipas shijeve individuale, forcat e policisë së Komisariatit nr. 3 treguan se të paktën për këtë rast, nuk kishin aspak sens humori. Si rrjedhojë, katër të rinjtë Arlind Kote 22 vjeç, Klevis Bejleri 22 vjeç, Dritan Broka 20 vjeç dhe Gerardo Durdaj 17 vjeç u ndaluan për këtë vepër, të cilësuar si kriminale nga policia e shtetit, e cila më pas shpalli edhe masën e arrestit.
Nuk u ndaluam në flagrancë siç pretendohet; ne ishim në makinë kur pamë se nga të katër anët na u afruan mjete të policisë tregon njëzetvjeçari Dritan Broka, drejtor i Kuvendit Civil, i cili nuk e fsheh dot një farë zgërdhirjeje të përmbajtur kur i kthehet ndodhive të asaj nate. Ora ishte rreth tre ndaj të gdhirë dhe pothuaj e kishim përfunduar misionin tonë për atë radhë, shpjegon Broka. Njëzetedyvjeçari Arlind Kote, nëndrejtor i organizatës në fjalë, kujton se skena ishte ajo e një aksioni kundër bandave kriminale: Mund të them se të tilla kishim parë nëpër filma.
Të rinjtë as e kuptuan se çndodhi, sepse në çast iu kërkua të dilnin nga makina dhe të ndarë në grupe të ndryshme (nga një-dy persona) u shpërndanë nëpër mjete të ndryshme. Çështja ishte se me gjithë numrin e madh të efektivëve të policisë, nuk kishte pranga. U gjetën vetëm një palë dhe me to u sistemuan njëkohësisht dy nga ne, tregon Kote, duke sqaruar se kur mburritën në komisariat, prangave u kishte humbur çelësi, ndaj u desh një farë kohe derisa arritën ti heqin. Në fakt, me të mbërritur në ambientet e Komisariatit nr. 3 të kryeqytetit, një polic iu drejtua të rinjve duke u thënë: Si guxoni të ngjisni postera me deputet-doktor Sali Berishën?! Po prisja që ti referoheshin të paktën si kryeministër, vëren Broka.
Ankth në familje
Siç ndodh gjithmonë kur historia përfshin në mënyrë të kombinuar fjalët djali dhe policia, kjo ngjarje përfshiu edhe një numër prindërish të merakosur. Dhe kështu, përtej asaj që e treguar në retrospektivë mund të klasifikohet si ndodhi gazmore, orët e pritjes pas dyerve të komisariatit nuk ishin aspak zbavitëse për prindërit e të rinjve.
Mori im bir në celular dhe më njoftoi se e kishin arrestuar, thotë Feruzan Durda, i ati i Gerardos. Durda tregon se e dinte se atë natë, i biri kishte dalë me shokët për të ngjitur postera dhe e kishte këshilluar që të mos vonohej shumë, por nuk i kishte vajtur ndër mend se për gjëra të tilla edhe mund të arrestohesh. Renda në komisariat, ku u takova me disa miq që ishin njoftuar për ngjarjen, por atje askush nuk të jepte drejtim, kujton ai. Bashkë me të tjerë prindër kishin pritur duke tentuar më kot të merrnin përgjigje për fatin e fëmijëve të tyre. Dinim vetëm se i kishin ndaluar se po ngjitnin postera, por nuk e kishim fort të qartë se çpërmbanin këto postera dhe nuk dinim asgjë se çpo ndodhte me ta, tregon i ati i Gerardo Durdës. Për më tepër, që im bir është minoren, vetëm 17 vjeç dhe si prind kisha disa të drejta shtesë, duke marrë parasysh rastin konkret, vëren Feruzan Durda. Ai tregon se megjithatë, askush nuk jepte informacion, ndërsa rojet lëshonin informata kundërthënëse mbi vendndodhjen e eprorëve të tyre.
U desh që ti hakërreheshin policit roje te porta që të fillonin të kuptonin diçka mbi atë që po ndodhte me të rinjtë brenda dyerve të Komisariatit. Më pas mbërriti avokati, i cili tregoi dokumentin dhe kërkoi prerazi që të takonte klientin e tij Gerardo Durdën, i cili ishte i mitur, kujton Feruzani. Ai thekson se situata bëhej edhe më absurde për faktin se katër të rinj ishin ndaluar për një shkelje minimale si ngjitje posterash në rrugë dhe absolutisht askush nuk ishte në gjendje të tregonte se çfarë po ndodhte. Mbi të gjitha jam i revoltuar nga sjellja tërësisht joprofesionale e policisë. Kur kuptuan që im bir ishte minoren, minimalisht duhet të kërkonin kontakt me prindin, por mesa duket, kjo është një kërkesë e tepërt për institucionet shqiptare, vëren Durda.
Të nesërmen e po asaj dite
Çunat e kuptuan se muhabeti ishte serioz kur iu kërkua që të hiqnin lidhëset e këpucëve dhe rripat e mesit, ndërsa u vendosën që të katërt në një dhomë. Aty iu komunikua se ishin ndaluar ngaqë qytetarë të shqetësuar i kishin telefonuar policisë. Të rinjve u kishte rënë në sy ndërkohë, se polici në fjalë, përveç qëndismës së flamurit shqiptar në krah, kishte edhe një stampë me flamurin e një shteti tjetër në uniformën e tij. Pse flamur francez është ky? Nuk e dija, ishte përgjigja e habitur e oficerit roje, ndaj pyetjes së çuditur të të rinjve se përse një efektiv i policisë shqiptare mbante flamurin francez në uniformë.
Rreth orës tetë të mëngjesit na priste një farë takimi që e kishim parë vetëm në televizion, në dokumentarët për gjyqet e komunizmit, thotë Broka. Të rinjtë ishin futur në një sallë, ku përreth një tavoline të madhe në formë T-je dhe në kolltukët rreth e rrotull saj ishin ulur titullar të lartë të policisë. Ishin të gjithë shefat e mundshëm… nga Anti-terrori, Anti-mafia, Anti-droga, praktikisht çdo shef policie që i fillon titulli me anti, kujton ai. Në tryezën e stërmadhe kishte vetëm një karrige bosh, ku ishin ulur një herë njëri dhe pastaj tjetri, Dritan Broka dhe Arlind Kote. Përgjithësisht ishin të qetë dhe të formuluar në komunikim nuk ishin si policët e thjeshtë në komisariat, të cilët hidhnin romuze duke na quajtur herë Lulëkuqet mbi Mur e herë Debatikasit, tregon Kote. Ai kujton se në krye të tavolinës, fiks te kurora e T-së qëndronte ulur shefi i komisariatit, ndërsa përreth ishin vendosur të gjithë Anti-t. Mobilimi ishte tronditës sepse që nga koha e Partisë së Punës në atë ambient nuk kishte ndryshuar asgjë, dhe për më tepër ishin një tufë burrash me uniforma ose kostume, të gjithë të veshur në mënyrë zyrtare që po na bënin një lloj gjyqi informal, kujton Kote. Po ajo tavolinë, po ato karrige, ato kolltuqe, e njëjta tapiceri, dhe mbi të gjitha, po ato fytyra, vijon ai. Të rinjtë tregojnë se megjithatë një pjesë e pyetjeve ishin banale, të tipit: Babi te shpia ti ka mësuar këto gjëra? e të tjera formulime si ky. Pa pritur një Anti-Diçka na tha se do dënoheshim pesë vjet, thotë Broka. Në atë që sipas të rinjve, i ngjante një gjyqi komunist, këta të fundit ishin mbrojtur sipas metodës së vjetër. U thamë se Neni 55 nuk është më pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë nuk mund të procedoheshim për agjitacion-propagandë, tregon Kote.
Mbledhja me praktikisht të gjitha kokat e mëdha të Policisë së Shtetit u duk se përfundoi pa ndonjë rezultat konkret dhe të rinjtë u transferuan nën kujdesin e plot tetë efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (F
