E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtohet nga blutë pronari i një lokali, neutralizohet autori

26/08/2011  Sherr dhe krisma armësh në lokal të Mallakastrës

FIER- Është evituar fatmirësisht tragjedia në Hekal të Mallakastrës. Një sherr për motive të dobëta ka startuar me debate e fjalë dhe ka përfunduar me të shtëna armësh. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e shtetasit me inicialet B. P në fshatin Hekal të Mallakastrës. Ka qenë ora 02.10 duke e gdhirë dita e enjte kur 25-vjeçari E. Selimaj, pasi ka debatuar me klientët dhe pronarin e lokalit ka tentuar të vrasë me armë zjarri këtë të fundit. Burimet policore bëjnë të ditur se Selimaj është konfliktuar me disa klientë në ambientet e lokalit dhe me pas me pronarin e lokalit kanë shkëmbyer fjalë për disa minuta me radhë. E ndërsa debati nuk ka reshtur 25-vjeçari dhe pronari i lokalit janë grindur me njeri-tjetrin me grushte dhe sende të forta. Për minuta me radhë të dy shtetasit kanë debatuar, ndërkohë që konflikti është mbyllur me ndihmë edhe të personave të tjerë, të cilët ndodheshin në mjediset e lokalit. Por mesa duket 25-vjeçari Selimaj nuk është kënaqur me kaq. Pasi është larguar nga lokali, ai ka shkuar në shtëpi dhe prej aty mësohet se ka marrë një armë zjarri, me të cilën ka qëlluar në drejtim të lokalit. Nga ky i fundit kanë dalë klientët që ndodheshin brenda dhe bashkë me ta edhe uniformat blu, të cilët ishin njoftuar më parë për konfliktin në fjalë. Ka qenë pikërisht ndërhyrja e bluve, ajo që ka evituar edhe tragjeditë. Në momentin që Selimaj do të qëllonte sërish në drejtim të pronarit të lokalit, uniformat blu kanë arritur t’i heqin atij armën nga dora, duke mos e lejuar të kryejë krimin. Më pas policia ka arrestuar 25-vjeçarin Selimaj në vendin e ngjarjes, ndërsa ka ushtuar edhe një kontroll të imtësishëm në banesën e tij. Kështu, mësohet se pas kontrollit në banesë, u gjetën dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri, një tip pushke e kalibrit 7.62 mm dhe një armë gjahu teke. Blutë e Mallakastrës kanë bllokuar gjithashtu edhe autoveturën tip “SEAT’ në pronësi të E. Selimajt. Ndaj këtij të fundit ka nisur procedimi penal për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›