Cecile Duflot, ylli i ri i politikës franceze
“Kemi qenë me fat të fitojmë dy herë”, thotë Cecile Duflot. “Së pari ishin zgjedhjet e Parlamentit Europian qershorin e kaluar dhe tani edhe zgjedhjet lokale në të cilat 2.7 milionë persona votuan për ne”.
Cecile është e mprehtë si thikë dhe shumë mirë e shkolluar. Në të janë ndërthurur dija dhe pamja e jashtme e paqtë dhe e qetë. Shumëkush është i mendimit se ajo i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për të bërë një karrierë të madhe në politikë. Megjithatë, edhe kur ajo u zgjodh kryetarja e Partisë së Gjelbër Franceze, tre vjet më parë, askush nuk besonte se ajo ishte personi i duhur për ta bërë atë punë. Një gazetë e djathtë shkruante në ato kohë: “është e re, fotozhenike e pëlqyeshme, por është tërësisht e panjohur”.
Por së fundi dhe veçanërisht që pas zgjedhjeve të fundit lokale në Francë, të cilat përfunduan me një humbje të thellë për partinë e Presidentit francez, Duflot, është shndërruar në një yll të vërtetë politik. Në drejtimin e saj, “Europe Ecologie” mori 12.5% të votave. Me këtë rezultat, të gjelbrit, më në fund janë shndërruar në forcën e tretë politike të vendit pas të majtëve dhe të djathtëve që është vërtet shumë për një vend që nuk ka pasur një traditë të mirë në çështjet ekologjike. Me këtë fitore, të gjelbërit janë bërë me të vërtetë të fuqishëm dhe me peshë. Fakti që Duflot së bashku me lideren e Partisë Socialiste, Martine Aubry, dhe atë të Partisë Komuniste, Marie-George Buffet, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në një kështjellë shumë të Parisit pas shpalljes së rezultateve zgjedhore ishte shumë domethënëse. Trioja e grave drejtuese në krye të socialistëve, të gjelbërve dhe komunistëve mund t’i japë fund qeverisjes së Sarkozisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Liderja socialiste dhe anëtarja tjetër shumë e shquar e partisë, Segolenë Royal, ish-kandidate presidenciale në zgjedhjet e kaluara janë tashmë të detyruara për ta marrë seriozisht rolin e Cecile edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Partia e saj nuk ka ndërmend që të deklarojë se cilën parti do të mbështesë derisa të vijnë zgjedhjet, e mundësisht në raundin e dytë të tyre. Kjo mund ta verë Duflot në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kyç.
Sipas disa sondazheve të fundit një e treta e francezëve e pëlqejnë 34-vjeçaren që ndërkohë është edhe nëna e 4 fëmijëve dhe sigurisht që pjesa më e madhe e tyre e njohin vetëm rishtazi falë fitores së madhe në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe ato lokale. Deri një vit më parë personi më i njohur dhe më në qendër të vëmendjes së Partisë së Gjelbër franceze ishte Daniel Cohn-Bendit, një anëtar i vjetër i partisë dhe shumë i njohur për shkak të veprimtarisë së tij në lëvizjet e vitit ’68. Ai ishte edhe shumë karizmatik dhe popullor. Sa për Duflot ajo qëndronte në sfond dhe ishte thuajse e padukshme ndërsa e konsideronte dhe përshkruante veten vazhdimisht “një brune e vogël dhe e thjeshtë nga periferia”. Dhe në fakt, ajo nuk po bënte shaka me këtë përshkrim. Duflot ka lindur në periferi të Parisit dhe tani vazhdon që të jetojë po në periferi edhe pse në një lagje shumë më të mirë se ajo ku lindi e u rrit. Kur është në qytet përdor vazhdimisht transportin publik. është bija e një punëtori hekurudhe dhe një mësueseje dhe ka mësuar që në fillim të jetës së saj se si të jetojë me mjete shumë të kufizuara financiare. Kukullat Barby dhe lodra të tjera për fëmijë ishin tabu për vajzën e vogël të periferisë nëna e të cilës bënte lloj-lloj punësh për të siguruar ndonjë të ardhur më shumë. Kur shkonin në ndonjë vend për pushime udhëtonin të gjithë në tren. Prindërit e saj ishin aktivë në jetën e sindikatave dhe vetë vajza që hershëm e përfshiu veten në shumë organizata njëra prej të cilës ajo e Katolikëve të Rinj Punëtorë. Më vonë u diplomua në një nga shkollat më të rëndësishme për biznes në Francë dhe nisi karrierën e saj në një firmë që merrej me realizimin e projekteve sociale. Kur u bashkua me të gjelbrit në vitin 2001 partia ishte duke përjetuar një krizë të brendshme dhe po ndahej në fraksione. Nëna e re i impresionoi të gjithë me aktivizimin e saj dhe me aftësitë organizative. Ajo punonte shumë dhe lodhej, por nuk ishte kurrë agresive, apo arrogante. Në janar të vitit 2005 u caktua në pozicionin e zëdhënëses së partisë dhe në dhjetor të vitit 2006 partia e zgjodhi si lidere. Në ato kohë ishte vetëm 31 vjeç. Megjithatë, shumëkush kishte të drejtë për mungesën e përvojës së saj, por ajo arriti që të mësonte shumë dhe të shndërrohej në një lidere shumë karizmatike dhe unifikuese për partinë e cila u shndërrua në një organizëm më të strukturuar dhe më të kualifikuar. Në vitin 2008 ajo u rizgjodh në postin e rëndësishëm me 71% të votave të partisë dhe së bashku me Cohn-Bendit themeloi “Europe Ecologie”, që i bëri bashkë të gjithë të gjelbërit gjermanë dhe parti të tjera të vogla ekologjike për të kandiduar në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Ndërsa pas fitores së të gjelbërve në zgjedhjet lokale, Duflot u bë zëvendëspresidentja e këshillit rajonal të një zone shumë të rëndësishme të vendit në të cilën bën pjesë edhe Parisi. Shumë nga admiruesit e Duflot do të donin që ta shihnin atë që të ndërmerrte një fushatë personale për Presidente të vendit, por të paktën për momentin, ajo nuk ka ndërmend që ta ndërmarrë një hap të tillë.
#