E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet studenti shqiptar, vrau italianin

 

ITALI – Arrestohet në Trento të Italisë një 22-vjeçar shqiptar i dyshuar për vrasje. Lorenc Smoqi, është prangosur dje nga forcat e rendit të vendit fqinj, pasi është i dyshuar si autori i ngjarjes së ndodhur tre ditë më parë në Grinjo të Trentos, ku ka mbetur i vrarë me thikë Luigi del Percio, 30 vjeç. Gjatë marrjes në pyetje, pas arrestimit i riu shqiptar nuk ka pranuar të ketë qëlluar me thikë 30-vjeçarin, por sipas policisë italiane një dëshmitar okular ka parë atë teksa ka kryer krimin. Dëshmitari i ngjarjes ka treguar se ka parë pak para orës 14:00 të së mërkurës përpara hyrjes së bibliotekës së Grinjos, dy të rinj teksa ishin duke debatuar ashpër. Sipas dëshmitarit, që e ka parë skenën nga një distance prej 30 metrash, pas pak momentesh njëri prej të rinjve e ka mbërthyer tjetrin dhe ka nxjerrë nga xhaketa që kishte veshur një send të shndritshëm dhe e ka drejtuar drejt rivalit. I sulmuari është shembur përtokë, ndërsa agresori është larguar. Mësohet se te tjerë persona e kanë parë më pas të lëvizte në një nga rrugët e qytetit me një çantë shpine me ngjyrë të errët në dorë, të njëjtë me një çantë të studentit të vrarë dhe me një kapelë të kuqe në kokë. Bazuar edhe në përshkrimin fizik të dhënë nga dëshmitarët e tjerë pas ngjarjes forcat e rendit kanë shkuar në shtëpinë ku banonin gjyshërit e shqiptarit të arrestuar. Pas një kontrolli fizik të banesës, përveç një kapeleje të kuqe, kanë gjetur në lavatriçe një pale xhinse me njolla gjaku. Menjëherë pas kësaj i riu është dërguar në rajonin e policisë ku është marrë për një kohë të gjatë në pyetje. Mësohet se ai nuk ka pranuar asgjë në lidhje me krimin, duke thënë se nuk kishte qenë në bibliotekë, por ai nuk ka arritur të ketë një alibi të qëndrueshme për harkun kohor mes orës 13:30 dhe 15:00. Sipas dëshmive të siguruara nga policia, në këtë kohë i riu Smoqi është parë të largohej nga biblioteka me një çantë të zezë në dorë, ajo që i përkiste studentit italian. Sipas policisë së vendit fqinj, ende nuk janë zbuluar motivet e vërteta të ngjarjes. Ndërsa nuk mohohet ajo e grabitjes, pasi çanta me të cilën është parë të largohet i riu shqiptar nuk është gjetur ende. Luigi del Percio u gjet i plagosur rëndë me armë të ftohtë në shkallët e bibliotekës së Grinjos pak pas orës 14:00 të së mërkurës nga disa kalimtarë. Ai vdiq nga plagët e marra pas mbërritjes në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›